Më 25 nëntor 2024, në ambientet e Hotel Tirana, u organizua një trajnim i rëndësishëm për punonjësit e promocionit shëndetësor mbi temën e ushqyerjes së shëndetshme në qendrat shëndetësore. Aktiviteti, mblodhi specialistë të Edukimit Shëndetësor nga Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe Drejtoritë Rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor. Pjesëmarrësit shkëmbyen njohuri dhe përvoja mbi rëndësinë e edukimit të komunitetit për një stil jete të shëndetshëm.
Trajnimi u përqendrua tek ndikimi që ushqyerja e shëndetshme ka në rritjen dhe zhvillimin optimal të fëmijëve, duke u bazuar në analiza statistikore të treguesve të ushqyerjes ndër vite. Diskutimet nxorën në pah sfidat kryesore me të cilat përballet komuniteti, si rritja e rasteve të obezitetit tek fëmijët dhe të rriturit dhe faktorët që kontribuojnë në këtë fenomen. Gjithashtu, u theksua rëndësia e zakoneve të ushqyerjes së shëndetshme për të parandaluar mbipeshën dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës.
Pjesë kyçe e trajnimit ishte roli i punonjësve të promocionit shëndetësor në edukimin e publikut. U diskutua se si mesazhet e qarta dhe fushatat ndërgjegjësuese mund të ndikojnë pozitivisht në ndryshimin e zakoneve ushqimore dhe të inkurajojnë një mënyrë jetese më të shëndetshme. Po ashtu, u trajtua edhe rëndësia e aktiviteteve fizike dhe përfshirjes së komunitetit dhe partnerëve të tjerë për të parandaluar sëmundjet kronike dhe për të promovuar ushqyerjen e shëndetshme.
Një aspekt i rëndësishëm i këtij trajnimi ishte ndjekja e standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për reduktimin e natriumit dhe edukimi mbi rreziqet e konsumit të tepërt të kripës, sidomos në lidhje me hipertensionin dhe sëmundjet kardiovaskulare. Trajnerët vunë theksin te politikat dhe masat fiskale që mund të ndihmojnë në uljen e konsumit të ushqimeve me përmbajtje të lartë natriumi, yndyre dhe sheqeri të shtuar, përmes taksave dhe masave stimuluese.
Trajnimi përforcoi rëndësinë e përpjekjeve të bashkërenduara për të edukuar dhe sensibilizuar komunitetin mbi ushqyerjen e shëndetshme dhe ndikimin e saj afatgjatë në mirëqenien e popullatës.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor mbetet i angazhuar për të ofruar trajnim dhe mbështetje të vazhdueshme për punonjësit, duke synuar përmirësimin e shëndetit publik dhe cilësisë së jetës në Shqipëri.