Më datat 10 dhe 11 dhjetor, u zhvillua një trajnim dy-ditor me temë: “Përdorimi i udhëzuesit për menaxhimin e çrregullimeve të shëndetit mendor në kujdesin shëndetësor parësor”. Kjo iniciativë, e mbështetur nga projekti HAP (Health for All Project), mblodhi së bashku profesionistë nga fusha e shëndetësisë për të adresuar dhe përmirësuar mënyrën e trajtimit të çështjeve të shëndetit mendor në nivel parësor.
Në këtë trajnim morën pjesë psikologë, punonjës socialë, mjekë dhe infermierë nga Qendrat Shëndetësore, si dhe përfaqësues nga strukturat e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Tiranë (NJVKSH), Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Tiranë (DROSHKSH) dhe Drejtoria Qendrore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (DQOSHKSH).
Qëllimi kryesor i trajnimit ishte pajisja e mjekëve të familjes, infermierëve të familjes, psikologëve dhe punonjësve socialë me njohuri dhe aftësi për përdorimin e udhëzuesit për menaxhimin e çrregullimeve të shëndetit mendor, si dhe instrumenteve klinikë të nevojshëm për këtë qëllim. Po ashtu, trajnimet synojnë të krijojnë një model të shkëmbimit të këtyre njohurive në nivelin e qendrave shëndetësore përmes formimit të grupeve të kolegëve.
Gjatë dy ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit u përfshinë në tema të rëndësishme, duke përfshirë ankthin akut, pikëllimin, depresionin, psikozën, vetëvrasjen, si dhe përdorimin e alkoolit dhe drogave. Përmes një qasjeje interaktive, që kombinonte shpjegimin teorik me diskutime dhe shkëmbim përvojash, trajnimi nënvizoi rëndësinë e trajtimit efektiv të këtyre çështjeve për të përmirësuar cilësinë e kujdesit ndaj pacientëve.
Kjo iniciativë, pjesë e angazhimeve për fuqizimin e kapaciteteve të profesionistëve shëndetësorë, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve në kujdesin shëndetësor parësor. Me përfshirjen dhe bashkëpunimin e të gjithë aktorëve të rëndësishëm në këtë trajnim, u hodhën themelet për një qasje më të integruar dhe të ndërgjegjshme ndaj çështjeve të shëndetit mendor në Shqipëri.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor falënderon të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe mbështetjen e tyre në këtë proces transformues.