Në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për përfshirjen sociale dhe rritjen e kapaciteteve profesionale, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me Operatorin e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor dhe projektin “EU Support to Social Inclusion in Albania”, në nëntor 2024, zhvilluan një trajnim mbi temën “Krijimi i Kapaciteteve nëpërmjet Modulit të Përgjithësuar”.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Operatori Rajonal Shkodër dhe Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor të Shkodrës, Kukësit dhe Kurbinit. Trajnimi kishte për qëllim adresimin e hendekut të njohurive në fushën e shërbimeve sociale dhe ofrimin e një baze të përgjithshme për konceptet thelbësore në këtë sektor, duke synuar rritjen e cilësisë së shërbimeve që ofrohen për qytetarët. Aktiviteti u fokusua gjithashtu në përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përballimin më efektiv të përcaktuesve socialë të shëndetit.
Në trajnim morën pjesë profesionistë nga fusha të ndryshme, përfshirë stafin lokal në nivel bashkie, profesionistë të kujdesit shëndetësor, përfaqësues të institucioneve të arsimit, të policisë, specialistë të punësimit dhe staf administrativ në nivel vendor dhe rajonal. Gjatë sesioneve u trajtuan tema të rëndësishme si përcaktimi dhe fusha e shërbimeve sociale, tipet e shërbimit social, rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve dhe menaxhimi i rasteve në shërbimet e kujdesit social.
Një ndër çështjet kryesore të diskutuara ishte rëndësia e institucioneve shëndetësore, përfshirë qendrat shëndetësore dhe ato socio-shëndetësore, në rritjen e kapaciteteve për shërbimet sociale. Duke shfrytëzuar pozicionin e tyre unik në kryqëzimin e kujdesit shëndetësor dhe mbështetjes sociale, këto institucione mund të luajnë një rol vendimtar në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve sociale dhe në adresimin më efektiv të faktorëve socialë që ndikojnë në shëndet.
Trajnimi shërbeu si një platformë e vlefshme për ndarjen e ideve, diskutimin e praktikave më të mira dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet aktorëve kryesorë që punojnë në fushën e shërbimeve sociale. Kjo iniciativë përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të kapaciteteve të nevojshme për përmirësimin e sistemeve shëndetësore dhe sociale në vend. Trajnimi u përmbyll me angazhimin për të vazhduar punën drejt objektivave të përbashkëta, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave ndërmjet institucioneve të përfshira.