Më datat 15, 16, dhe 17 korrik 2024, në qytetin e Elbasanit u zhvillua trajnimi me temë: “Kujdesi Shëndetësor në Banesë dhe Procedurat Standarde Infermierore”. Ky aktivitet u organizua nga projekti HAP, i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Kooperim, dhe pati mbështetjen dhe pjesëmarrjen e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Në këtë trajnim morën pjesë përfaqësues nga operatorët rajonalë të kujdesit shëndetësor të Tiranës dhe Elbasanit, si dhe nga njësitë vendore të kujdesit shëndetësor të Krujës, Librazhdit, Gramshit, Peqinit, Devollit, Kolonjës, Kuçovës dhe Skraparit. Ky trajnim kishte si qëllim përmirësimin e njohurive dhe aftësive të profesionistëve të kujdesit shëndetësor në banesë, duke u fokusuar në procedurat standarde infermierore për të ofruar një shërbim cilësor dhe efikas për pacientët në shtëpitë e tyre.
Në sesionet e trajnimit, u theksua rëndësia e kujdesit shëndetësor në banesë si një komponent kyç për përmirësimin e shëndetit të popullatës dhe për uljen e ngarkesës së spitaleve dhe qendrave shëndetësore. Përfaqësuesit dhe pjesëmarrësit shkëmbyen eksperienca dhe praktika të mira që do të kontribuojnë në standardizimin e procedurave infermierore dhe rritjen e cilësisë së kujdesit që ofrohet.
Projekti HAP vazhdon të mbështesë dhe të promovojë iniciativa të tilla që synojnë përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri, me mbështetjen e vazhdueshme të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Kooperim. Këto trajnime janë një dëshmi e përkushtimit tonë për të siguruar një kujdes shëndetësor të qëndrueshëm dhe të cilësisë së lartë për të gjithë qytetarët.