Në datat 4-6 nëntor 2025, në zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Tiranë, u zhvillua trajnimi vijues tre-ditor mbi proçesin e zëvendësimit të pajisjeve matëse me merkur, si dhe trajnimi i institucionit pilot, Spitalit Rajonal të Gjirokastrës. Në këtë aktivitet mori pjesë Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, i përfaqësuar nga znj. Ana Selimaj, specialiste në Sektorin e Ofrimit të Shërbimeve Shëndetësore pranë Drejtorisë së Ofrimit të Kujdesit Shëndetësor, si dhe znj. Xhuljana Trimi, specialiste në Sektorin e Harmonizimit të Kuadrit Rregullator pranë Drejtorisë së Harmonizimit të Kujdesit Shëndetësor. Gjithashtu, në trajnim morën pjesë edhe përfaqësues nga Spitali Rajonal i Gjirokastrës, si një institucion pilot i projektit.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit GEF7 “Heqja graduale e pajisjeve matëse me merkur nga kujdesi shëndetësor”, i cili zbatohet nga OBSH dhe UNEP,  në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Mjedisit, si dhe me kontributin e drejtpërdrejtë të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH).

Gjatë tre ditëve të aktivitetit pjesëmarrësit u trajnuan mbi rreziqet shëndetësore dhe mjedisore nga merkuri dhe zbatimin e konventës së Minamatës, menaxhimin e sigurt të mbetjeve që përmbajnë merkur, si dhe mbi zëvendësimin e pajisjeve matëse me alternativa të sigurta.

Ky trajnim shënon një hap të rëndësishëm drejt eleminimit të merkurit nga institucionet shëndetësore në Shqipëri, duke kontribuar në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe të mjedisit, si dhe në përmirësimin e standarteve të sigurisë mjedisore dhe shëndetësore në sistemin publik të kujdesit shëndetësor.