Në kuadër të projektit pesëvjeçar të mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), i cili synon zëvendësimin gradual të pajisjeve mjekësore që përmbajnë mërkur, në datat 21–23 maj 2025 u zhvillua një trajnim intensiv tre-ditor.

Ky aktivitet mblodhi së bashku profesionistë nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), Spitali Rajonal Vlorë dhe Spitali Rajonal Dibër. Trajnimi u udhëhoq nga ekspertë ndërkombëtarë të fushës dhe u fokusua në rreziqet shëndetësore që lidhen me ekspozimin ndaj mërkurit, në fazat e zëvendësimit të pajisjeve që përmbajnë këtë substancë, në mënyrat e menaxhimit të mbetjeve me rrezik të lartë, si edhe në përzgjedhjen dhe përdorimin e pajisjeve alternative që janë të sigurta dhe të qëndrueshme.

Një pjesë thelbësore e trajnimit ishte punëtoria interaktive, gjatë së cilës pjesëmarrësit u njohën me praktikat më të mira për zbatimin në terren të këtij projekti me rëndësi të veçantë për mbrojtjen e shëndetit të pacientëve, stafit mjekësor dhe mjedisit.

Drejtoria Qendrore e OSHKSH-së ka një rol kyç në mbështetjen dhe koordinimin e spitaleve pilot, duke garantuar që zbatimi i projektit të ndjekë standardet më të larta ndërkombëtare dhe të përmbushë objektivat e vendosura.

Ky trajnim përbën një hap të rëndësishëm drejt një sistemi shëndetësor më të sigurt dhe më miqësor me mjedisin.