Me 7 korrik, në ambientet e NJVKSH Kukës, u zhvillua një trajnim i rëndësishëm për profesionistët shëndetësorë të përfshirë në programet e vaksinimit, me qëllim forcimin e kapaciteteve lokale për zbatimin dhe monitorimin efektiv të këtyre programeve.
Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për përmirësimin e shërbimeve të kujdesit parësor dhe mbrojtjes së shëndetit të popullatës, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), në bashkëpunim me Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) Kukës, organizoi një trajnim për profesionistët shëndetësorë të përfshirë në programet e vaksinimit.
Ky aktivitet përputhet me misionin e OSHKSH për të garantuar një shërbim shëndetësor cilësor, të sigurt dhe të mbështetur në evidencë, si dhe për të forcuar kapacitetet e personelit shëndetësor në mbarë vendin. Trajnimi synoi rritjen e aftësive për zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin efektiv të programeve të vaksinimit në nivel vendor.
Në trajnim morën pjesë 38 profesionistë nga NJVKSH Kukës dhe nga 13 qendra shëndetësore të rrethit. Temat kryesore përfshinë: menaxhimin e rasteve të shtyrjes së vaksinave, përdorimin e Sistemit të Informacionit të Vaksinimit (SIV), kornizën ligjore për vaksinimin, si dhe përmirësimin e praktikave të raportimit dhe planifikimit.
Ky aktivitet kontribuon në rritjen e mbulueshmërisë së vaksinimit, menaxhimin e refuzimeve përmes komunikimit efektiv me komunitetin dhe ndërtimin e besimit në shërbimet publike shëndetësore elementë kyç për OSHKSH në garantimin e një kujdesi shëndetësor efikas dhe të qëndrueshëm në të gjitha nivelet e sistemit.