Më datë 30 qershor 2025, në ambientet e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, u zhvillua takimi i dytë teknik për finalizimin e projektvendimit “Për miratimin e kërkesave për menaxhimin e mbetjeve spitalore”.
Takimi mblodhi përfaqësues nga institucione kyçe që luajnë një rol të rëndësishëm në fushën e menaxhimit të mbetjeve shëndetësore, përfshirë: Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Institutin e Shëndetit Publik, Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Emergjencave Mjedisore, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, përfaqësues të GIZ-it, si dhe përfaqësues të Drejtorisë Qendrore të OSHKSH-së, Z. Hermes Xhemalaj dhe Zj. Marsida Merdani.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi mbi të gjitha propozimet dhe ndryshimet e bëra në draftin ekzistues të projektvendimit, të pasqyruara përmes funksionit “track changes”, me synimin për të arritur një version të dakortësuar dhe përfundimtar që do të dërgohet për miratim.
Një ndër temat kryesore të trajtuara ishte sqarimi i detyrimeve të institucioneve shëndetësore në lidhje me menaxhimin e mbetjeve. U theksuan përgjegjësitë që u ngarkohen prodhuesve të mëdhenj dhe të vegjël të mbetjeve spitalore, përfshirë ruajtjen e përkohshme në kushte të përshtatshme, hartimin dhe zbatimin e planeve të menaxhimit të brendshëm, si dhe mbajtjen e regjistrave dhe përgatitjen e raporteve sipas kërkesave ligjore në fuqi.
Gjithashtu, u diskutuan gjerësisht çështjet që lidhen me kushtet higjieno-sanitare dhe të sigurisë gjatë trajtimit të mbetjeve spitalore. Vëmendje e veçantë iu kushtua kërkesave për ambalazhimin e duhur të mbetjeve, mënyrave të sigurta të transportit, si dhe masave për mbrojtjen e personelit të përfshirë në procesin e grumbullimit dhe trajtimit, me qëllim garantimin e sigurisë shëndetësore dhe mjedisore përgjatë gjithë zinxhirit të menaxhimit.
Në këtë proces, roli i Drejtorisë Qendrore të OSHKSH-së mbetet thelbësor, pasi kjo strukturë është përgjegjëse për mbledhjen dhe konsolidimin e të dhënave mbi mbetjet spitalore nga të gjitha njësitë në varësinë e saj, si dhe për raportimin e tyre pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Takimi përbën një hap të rëndësishëm drejt finalizimit të këtij akti nënligjor, duke garantuar një proces të koordinuar dhe gjithëpërfshirës ndërinstitucional. Drafti i dakortësuar do t’i nënshtrohet më tej procedurës së dërgimit për mendim në ministritë përkatëse, si fazë e fundit përpara miratimit përfundimtar.