Më datë 24 qershor 2025, projekti Health for All, në bashkëpunim me OSHKSH-në, organizoi takimin e dytë konsultues, i fokusuar në hartimin e Manualit të Psikologut për qendrat socioshëndetësore. Ky dokument udhëzues dhe praktik synon të mbështesë punën e psikologëve në përditshmërinë e tyre profesionale, duke forcuar rolin e tyre në sistemin shëndetësor dhe duke kontribuar në standardizimin e cilësisë së shërbimeve psikologjike në kujdesin parësor.
Në këtë takim morën pjesë psikologë, mjekë familjeje dhe infermierë nga qendrat shëndetësore të Tiranës, Fierit, Shkodrës dhe Elbasanit, si dhe përfaqësues nga Drejtoria Qendrore e OSHKSH-së, znj. Aida Xhani.
Fokusi i këtij takimi ishte prezantimi i instrumenteve dhe formularëve të vlerësimit që do të përdoren nga psikologët gjatë ofrimit të shërbimeve psikosociale në kujdesin parësor. Këto mjete do të jenë pjesë përbërëse e Manualit të Psikologut dhe do të ndihmojnë në dokumentimin dhe strukturimin e ndërhyrjeve psikosociale.
Gjatë takimit u paraqitën disa variante formularësh, të cilët u diskutuan në mënyrë aktive dhe gjithëpërfshirëse. Vetë psikologët dhanë kontributin e tyre në përzgjedhjen e modeleve më të përshtatshme dhe praktike, duke siguruar që këto mjete të jenë funksionale dhe të lehta për t’u përdorur në punën e përditshme.
Ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt institucionalizimit të rolit të psikologut në sistemin e kujdesit shëndetësor parësor dhe nënvizon përkushtimin për ndërtimin e shërbimeve më cilësore, të aksesueshme dhe të qëndrueshme për të gjithë qytetarët.