Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Emergjencave Mjekësore, Instituti i Shëndetit Publik si dhe Drejtoria Qendrore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor. Diskutimet u përqendruan në analizimin e projektit aktual dhe në identifikimin e çështjeve praktike që lidhen me zbatimin efektiv të kërkesave të reja për menaxhimin e mbetjeve spitalore.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e ndarjes së qartë të përgjegjësive ndërmjet institucioneve përkatëse, veçanërisht mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, në mënyrë që të sigurohet një proces i rregullt i zbatimit dhe inspektimit. Një vëmendje e veçantë iu kushtua sfidave me të cilat përballen prodhuesit e vegjël të mbetjeve, siç janë qendrat shëndetësore në zonat e thella, ku mungesa e infrastrukturës dhe kapaciteteve teknike paraqet pengesa për zbatim të standardeve të parashikuara.
Gjithashtu, u propozua hartimi i manualeve praktike për ndarjen dhe trajtimin e mbetjeve në nivel institucioni, në mënyrë që të sigurohet një qasje e unifikuar dhe e qartë për të gjithë aktorët e përfshirë. Një tjetër element i rëndësishëm që u diskutua ishte nevoja për përmirësimin dhe saktësimin e terminologjisë në tekstin e projektvendimit, për të shmangur keqkuptimet dhe për të rritur zbatueshmërinë e tij në praktikë.
Pjesëmarrësit shprehën angazhimin për të vijuar punën e përbashkët në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të këtij projektvendimi dhe ranë dakord që të organizohet një takim i dytë në vijim, për të finalizuar propozimet dhe detajet e mbetura.
Drejtoria Qendrore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor mbështet dhe vlerëson bashkëpunime të tilla ndërinstitucionale, të cilat kontribuojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe në sigurimin e një menaxhimi të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm të mbetjeve spitalore.