Më datë 25 nëntor 2025, në ambjentet e Drejtorisë Qendrore të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) u zhvillua një takim pune me përfaqësues të Ambasadës Zviceriane dhe Agjencisë Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Në takim mori pjesë Drejtoresha e Përgjithshme e OSHKSH, znj. Jeta Deda, së bashku me përfaqësues të tjerë të institucionit, përfshirë z. Elis Muço, znj. Ersi Dobi dhe znj. Rolanda Merkuri. Nga Agjencia Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) morën pjesë znj. Erika Placella, Drejtuese e Departamentit të Shëndetësisë në SDC, e cila ishte pjesë e vizitës së planifikuar për datat 24-28 nëntor 2025, znj. Flora Hobdari, Eksperte e Financimit të Shëndetësisë, si dhe znj. Zhenihen Zanaj, Oficere Kombëtare e Programit, përgjegjëse për shëndetësinë në Ambasadën Zviceriane.

Takimi kishte si qëllim diskutimin e mundësive për mbështetje të mëtejshme nga Agjencia Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Shqipëri, me fokus garantimin e qëndrueshmërisë së elementeve kyç të programeve me model zvicerian të zbatuara në sistemin shëndetësor shqiptar, përmes realizimit të një studimi fizibiliteti.

Gjatë takimit u prezantua progresi i programeve të zhvilluara me model zvicerian, i cili ka shënuar një ecuri të konsiderueshme. Përfaqësuesit e SDC shprehën kënaqësi për progresin e arritur nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet insitucioneve. Pjesëmarrësit u informuan për rritjen e numrit të infermierëve në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin, përfshirë edhe caktimin e infermierëve nëpër shkolla prej 2 muajsh, ku disa prej të cilëve janë infermierët e qendrave shëndetësore që mbulojnë edhe institucionet arsimore të zonës përkatëse.

Një pikë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua transformimit të 103 nga gjithsej 326 qendra shëndetësore në qendra socio-shëndetësore, të cilat ofrojnë edhe shërbime të kujdesit të shëndetit mendor, përfshirë psikologë, logopedë dhe fizioterapistë. U diskutua gjithashtu vazhdimësia e paketave të shërbimeve të ofruara në banesë dhe paketave të tjera në kuadër të shërbimeve të urgjencës. U informua SDC për planet e hapjes së Departamenteve të Ekselencës në Spitalin e Lezhës (Obstetrikë-Gjinekologji) dhe në Spitalin e Vlorës (Okulistikë). Po ashtu, u shqyrtua strategjia e shërbimit parësor gjatë periudhës 2020-2025 e kryer nga OSHKSH dhe u dakordësua mbi planin e veprimit për periudhën 2026-2030, me mbështetjen e ekspertëve.

Përfaqësuesit e SDC vlerësuan progresin, cilësinë e punës dhe qasjen e OSHKSH për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore. Ata konfirmuan vijueshmërinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes së tyre në fazat e ardhshme të zhvillimit të sistemit shëndetësor. Agjencia Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe OSHKSH dakordësuan vijimin e bashkëpunimit në mënyrë të strukturuar dhe të qëndrueshme, me fokus forcimin e reformave dhe modeleve të implementuara deri më tani.