Më 16 prill 2025, në ambientet e Tirana International Hotel & Conference Center, u zhvillua punëtoria me temë “Integrimi i Dimensionit Shëndetësor në Gatishmërinë dhe Reagimin ndaj Emergjencave në nivel lokal në Shqipëri”, organizuar nga GFA Consulting Group GmbH në bashkëpunim me Prepared International (PPI) dhe GRI Collective, me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), në kuadër të projektit SOLIDAR – Së bashku në Emergjencat Shëndetësore, financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor u përfaqësua në këtë aktivitet me pjesëmarrjen e Denis Ilias, specialist në Sektorin e Harmonizimit të Kuadrit Rregullator, Klea Pashollari, përgjegjëse e Sektorit të Statistikave dhe Monitorimit, dhe Pranvera Hyka, përgjegjëse e Sektorit të Analizës dhe Kostimit në Drejtorinë Qendrore. Kontributi i përfaqësuesve të OSHKSH ishte thelbësor në diskutimet mbi sfidat dhe mundësitë për një integrim më të fortë të shërbimeve shëndetësore në mekanizmat e reagimit ndaj emergjencave në nivel vendor.
Punëtoria synoi të nxisë dialogun ndërsektorial dhe të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional, me fokus të veçantë në rritjen e efektivitetit të reagimit shëndetësor përballë situatave emergjente. Pjesëmarrësit u njohën me kuadrin ligjor kombëtar që rregullon menaxhimin e emergjencave, si dhe me praktika të mira për integrimin e komponentit shëndetësor në planet e emergjencës.
Në diskutimet e hapura u theksua rëndësia e përmirësimit të komunikimit ndërinstitucional, trajnimit të vazhdueshëm të profesionistëve të kujdesit shëndetësor, forcimit të kapaciteteve në nivel vendor dhe përditësimit të planeve të reagimit me elementë konkretë të shëndetit publik. Përfaqësuesit e OSHKSH ndanë përvojat institucionale dhe dhanë propozime konkrete për rritjen e bashkëpunimit praktik mes sistemit shëndetësor dhe strukturave të emergjencave.
Kjo punëtori u mbyll me angazhimin për vazhdimin e shkëmbimit të eksperiencave dhe zhvillimin e mëtejshëm të politikave dhe procedurave që garantojnë një përgjigje të koordinuar dhe efektive ndaj emergjencave me ndikim në shëndetin publik. Rekomandimet e dala nga takimi pritet të ndihmojnë në hartimin e udhëzimeve të reja në kuadër të projektit SOLIDAR.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor mbetet i angazhuar në përmirësimin e kapaciteteve të reagimit shëndetësor dhe forcimin e rezistencës së komuniteteve ndaj situatave emergjente, në përputhje me kuadrin ligjor dhe strategjik kombëtar.