Vijon depistimi i shëndetit dentar për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve të gojës dhe dhëmbëve tek fëmijët. Shërbimi Stomatologjik Publik – Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor – Tiranë i është përkushtuar përmirësimit të kushteve të çdo kabineti dentar për të rritur cilësinë e shërbimeve të ofruara.
Në kabinetet dentare të lokalizuara nëpër shkollat publike të Tiranës janë kryer një sërë trajtimesh parandaluese (fluorizime, silanime, pastrime dhëmbësh) dhe mjekuese (mjekime të sëmundjeve të indeve të buta dhe të dhëmbëve), sikurse edhe janë depistuar në vijimësi sëmundjet e gojës te fëmijët 5-11 vjeç dhe adoleshentët 12-18 vjeç.
Aktivitetet e ndryshme edukativo-artistike zënë një vend të rëndësishëm në punën e mjekëve stomatologë të shkollave. Përmes lojërave të ndryshme, larjes së dhëmbëve në kolektiv, vizatimeve, materialeve për ngjyrosje, filmave vizatimorë, fëmijët mësojnë duke u argëtuar se si të kujdesen për gojën dhe dhëmbët e tyre. Vizitat në kabinetin dentar të shkollës dhe lojëra të ndryshme në poltronën dentare ndihmojnë për të luftuar frikën nga dentist që në moshë të hershme.