Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor mori pjesë në trajnimin me temë “Antigjipsizmi në Administratën Publike”, i zhvilluar më 20-21 nëntor 2025, në Tiranë.
Trajnimi synonte rritjen e kuptimit mbi antigjipsizmin, promovimin e praktikave gjithëpërfshirëse dhe ofrimin e mjeteve praktike për stafin e administratës publike për të adresuar diskriminimin në mënyrë efektive.
Gjatë ditës së parë pjesëmarrësit u njohën me konceptet bazë të antigjipsizmit, format dhe manifestimet e tij, si dhe mënyrat për ta identifikuar në situatat e përditshme. Trajnimi përfshiu diskutime mbi rrënjët historike dhe dimensionet sistemike të fenomenit, duke reflektuar mbi mënyrën se si historia ndikon në perceptimet aktuale. U prezantuan kornizat ligjore dhe politikat, si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel të Bashkimit Europian, si dhe sfidat që hasen në zbatimin e tyre. Diskutimet përfshinë shembuj konkrete të antigjipsizmit institucional në arsim, punësim dhe mbrojtje sociale. Pjesëmarrësit punuan në grupe, ku analizuan shembuj të paragjykimit institucional dhe identifikuan zgjidhje të mundshme. Dita e parë e trajnimit përfundoi me prezantimet e grupeve, të shoqëruara me komente dhe sugjerime gjatë një sesioni përmbledhës dhe reflektues mbi pikat kryesore të diskutimit.
Dita e dytë e trajnimit nisi me një përmbledhje të temave të trajtuara. U diskutuan mekanizmat e monitorimit, llogaridhënies dhe ankesave, duke përfshirë mënyrat për raportimin e diskriminimit dhe rolin e institucioneve dhe shoqërisë civile në adresimin e çështjeve të tilla. Përmes një ushtrimi praktik, pjesëmarrësit analizuan efektivitetin e mekanizmave ekzistues për adresimin e rasteve të diskriminimit, duke përdorur shembuj konkretë nga komunitetet e tyre. U prezantuan modele dhe praktika të suksesshme nga Bashkimi Evropian dhe Shqipëria, duke nxitur diskutim mbi mundësitë për përshtatjen e tyre në kontekstin lokal dhe reflektuar mbi zbatueshmërinë dhe adaptimin e tyre.
Trajnimi vijoi me diskutimin e strategjive për ofrimin e shërbimeve publike më gjithëpërfshirëse dhe të barabarta. Pjesëmarrësit u angazhuan në ushtrime të stimuluara për të praktikuar reagimin institucional ndaj rasteve të diskriminimit dhe më pas hartuan plane të shkurtra veprimi për institucionet që përfaqësonin. Aktiviteti përfundoi me reflektime përmbyllëse, duke përfshirë prezantimin e planeve të veprimit dhe shpërndarjen e çertifikatave për pjesëmarrësit.
Përmes pjesëmarrjes aktive, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor riafirmoi angazhimin e tij për ofrimin e shërbimeve shëndetësore gjithëpërfshirëse dhe të barabarta, duke promovuar një qasje të drejtë dhe pa paragjykime për të gjithë qytetarët.
