Më 25 korrik 2025, në ambientet e UNICEF Albania u zhvillua Dialogu Strategjik Vjetor, një tryezë e gjerë bashkëpunimi ndërinstitucional që mblodhi përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore dhe anëtarë të Bordit Këshillimor të Adoleshentëve, me synimin për të reflektuar mbi arritjet e vitit që po lëmë pas, për të përcaktuar prioritetet për vitin 2026 dhe për të hedhur themelet e Programit të ri të Vendit 2027–2031.

Në këtë takim mori pjesë edhe Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, znj. Elona Baloj, duke përfaqësuar institucionin në diskutimet e nivelit të lartë për drejtimet strategjike të zhvillimit të shërbimeve për fëmijët dhe të rinjtë. Znj. Baloj vlerësoi rolin e UNICEF-it si një partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm në reformat sociale dhe shëndetësore, dhe theksoi angazhimin e OSHKSH për të garantuar akses në shërbime cilësore për të gjitha grupmoshat, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë në nevojë.

Gjatë takimit, u theksua se prioritetet e UNICEF-it; Garancia për Fëmijët, Garancia për të Rinj dhe Qëndrueshmëria dhe Mbrojtja; janë në harmoni të plotë me agjendën kombëtare të reformave, duke krijuar terren të përbashkët për bashkëpunim efektiv ndërinstitucional.

Pjesëmarrja e Bordit Këshillimor të Adoleshentëve solli një frymë të freskët në diskutim. Të rinjtë sollën ide, pritshmëri dhe kërkesa konkrete për përfshirje domethënëse në vendimmarrje. Mesazhi i tyre i fundit që zërat e tyre të mos dëgjohen vetëm, por të merren seriozisht dhe të përkthehen në veprim u prit me vlerësim nga të gjithë të pranishmit.

Për OSHKSH, ky takim ishte një moment i rëndësishëm për të forcuar rolin e institucionit si garant i shërbimeve shëndetësore për brezat e rinj, për të ndarë eksperiencën e deritanishme në zbatimin e modeleve të kujdesit në komunitet dhe për të ndërtuar sinergji të reja me aktorët e tjerë institucionalë dhe ndërkombëtarë.