Vijon organizimi i Monitorimit Mbështetës gjatë zbatimit të Kujdesit Shëndetësor në Banesë (KSHB) pranë Qendrës Socio Shëndetësore Nr. 4 dhe Qendrës së Mjekësisë Familjare Nr. 10 në Tiranë. Ky monitorim u mbështet nga projekti HAP dhe Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe pati pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Operatorit Rajonal Tiranë, NJVKSH Tiranë, si dhe drejtorëve dhe koordinatorëve të Kujdesit Shëndetësor në Banesë të dy qendrave shëndetësore.
Monitorimi kishte si synim aftësimin dhe përmirësimin e procesit të zbatimit të Kujdesit Shëndetësor në Banesë nga personeli mjekësor dhe infermieror që ofron këtë shërbim për pacientët e identifikuar me pikëzimin e Karnofsky -40. Gjatë monitorimit u vlerësua organizimi i punës dhe funksionimi i Kujdesit Shëndetësor në Banesë në qendrat shëndetësore, u inspektuan pajisjet mjekësore të përdorura gjatë ofrimit të shërbimit në banesë, si dhe u shqyrtuan kartelat infermierore të pacientëve. Një tjetër aspekt i rëndësishëm ishte monitorimi i vizitave në banesë dhe diskutimi i gjetjeve me stafin e qendrave shëndetësore, duke adresuar detyrat për drejtorët dhe koordinatorët e Kujdesit Shëndetësor në Banesë.
Monitorimi vuri në dukje disa çështje që duhen adresuar, siç janë përditësimi i rregullores së brendshme të Kujdesit Shëndetësor në Banesë me listën e plotë të personelit të përfshirë, qartësimi i detyrave në kontratat e punës së personelit mjekësor dhe infermieror, si dhe shtimi i numrit të vizitave në banesë. Gjithashtu, u evidentua nevoja për një plotësim më të detajuar të kartelave infermierore dhe për përdorimin e pajisjeve mjekësore gjatë vizitave në banesë, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimit të ofruar për pacientët kronikë.
Në përfundim, u përcaktuan disa masa për përmirësimin e shërbimit, përfshirë rishikimin e rregullores së brendshme të Kujdesit Shëndetësor në Banesë, azhornimin e kontratave të personelit infermieror, shtimin e frekuencës së vizitave në banesë dhe një kujdes më të madh në përmbushjen e dokumentacionit mjekësor.
Ky monitorim shërbeu si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së cilësisë së Kujdesit Shëndetësor në Banesë dhe fuqizimit të kapaciteteve të stafit të përfshirë në këtë shërbim.