Në periudhën 7-11 tetor 2024, Znj. Klea Pashollari, Përgjegjëse e Statistikave dhe Monitorimit në Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, mori pjesë në Shkollën e Dytë Europiane mbi Cilësinë e Kujdesit Shëndetësor dhe Sigurinë e Pacientëve, organizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në Lisbonë, Portugali. Ky kurs prestigjioz mblodhi së bashku përfaqësues nga vendet e Rajonit Europian dhe ekspertë globalë në fushën e shëndetësisë, për të ndarë përvojat dhe për të diskutuar politikat më të mira për përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së pacientëve.
Shkolla Europiane, e organizuar nga Zyra e Cilësisë së Kujdesit dhe Sigurisë së Pacientëve e OBSH-së në Athinë, në bashkëpunim me Qendrën Bashkëpunuese të OBSH-së dhe Shkollën Kombëtare të Shëndetit Publik NOVA, shërben si një platformë e rëndësishme për të avancuar njohuritë shkencore në fushën e shëndetësisë. Pjesëmarrësit patën mundësinë të përfshihen në leksione interaktive dhe diskutime në panele, duke eksploruar dimensionet komplekse të cilësisë së kujdesit shëndetësor dhe sigurisë së pacientëve.
Një nga elementët kryesorë të kursit ishte puna bashkëpunuese ndërmjet përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse, ku u zhvilluan aktivitete të përbashkëta për hartimin e politikave të cilësisë së kujdesit. Znj. Pashollari pati mundësinë të shkëmbejë përvoja dhe të diskutojë sfidat dhe praktikat më të mira në këtë fushë, duke përfaqësuar Shqipërinë në një platformë ndërkombëtare të dedikuar për përmirësimin e kujdesit shëndetësor.
Pjesëmarrja e Znj. Pashollari në këtë nismë është një dëshmi e angazhimit të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor për të ndjekur praktikat më të mira globale dhe për të rritur cilësinë e shërbimeve të ofruara për qytetarët shqiptarë. Prezantimi i përgatitur nga Znj. Pashollari mbi çështjet kryesore të trajtuara gjatë këtij kursi, së bashku me përvojat e ndara nga pjesëmarrës të tjerë, do të kontribuojnë në përmirësimin e politikave tona të kujdesit shëndetësor dhe sigurisë së pacientëve në vend, duke e përhapur njohurinë në ekspertët e operatorëve rajonalë dhe vendorë.
Kursi njëjavor përmbylli me sukses misionin e tij për të thelluar njohuritë e pjesëmarrësve dhe për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e cilësisë së kujdesit shëndetësor, duke kontribuar në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët në të gjithë rajonin europian.