Më 21 korrik 2025, në ambientet e Kinemasë “Maks Velo” në Laprakë, Operatori Rajonal i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Tiranë organizoi Forumin Kombëtar “Shëndeti i Trurit në çdo moshë”, me rastin e Ditës Botërore të Trurit. Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë dinamike dhe reflektuese, ku profesionistë të shëndetit, drejtues institucionesh, politikëbërës dhe ekspertë të fushave të ndryshme u bashkuan për të sjellë në vëmendje rëndësinë jetike të trurit dhe kujdesit për të gjatë gjithë ciklit të jetës njerëzore.
Eventi nisi me fjalët përshëndetëse të moderatores Anduela Vaso, e cila theksoi domosdoshmërinë e diskutimit të hapur mbi shëndetin neurologjik dhe mendor. Drejtori i Operatorit Rajonal të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, zoti Lorenc Hashorva, u shpreh se kjo nismë është pjesë e një vizioni të ri për vendosjen e shëndetit të trurit në qendër të vëmendjes publike dhe sistemit të kujdesit shëndetësor. Drejtoresha e Përgjithshme e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, znj. Jeta Deda, vuri në dukje se ky forum është dëshmi e një përkushtimi institucional për të integruar shëndetin e trurit në të gjitha nivelet e kujdesit dhe për të bashkuar ekspertizën nga të gjitha fushat për një qasje sa më të plotë. Drejtorja e Përgjithshme e Institutit të Shëndetit Publik, znj. Eugena Tomini nënvizoi rëndësinë e edukimit të popullatës për simptomat e hershme të sëmundjeve të trurit, ndërsa foli mbi rëndësinë e të dhënave epidemiologjike dhe parandalimit në nivel komunitar.
Në vijim, Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Mira Rakacolli, theksoi se shëndeti mendor dhe neurologjik janë prioritete të padiskutueshme të politikave shëndetësore të qeverisë.
Forumi u zhvillua në pesë panele të ndërtuara me kujdes për të prekur aspekte të ndryshme të shëndetit të trurit. Paneli i parë, “Rrugëtimi Neurologjik: Nga shenjat e para te diagnostikimi dhe menaxhimi”, solli në vëmendje sfidat e diagnostikimit dhe trajtimit neurologjik. Dr. Ladiola Stefanidhi analizoi vështirësitë praktike në diagnostikimin e hershëm të çrregullimeve neurologjike, ndërsa Dr. Dhurata Uruçi vuri theksin te rëndësia e ndërhyrjes së hershme dhe parandalimit. Në panel u përfshi edhe Dr. Entela Basha, përfaqësuese e Shoqatës së Neurologëve të Shqipërisë.
Paneli i dytë, “Psikiatria sot: Roli i njohjes së hershme në kujdesin mendor”, u fokusua në qasjet moderne të shëndetit mendor. Dr. Valentina Asabella prezantoi qasjen e integrimit të shërbimeve psikiatrike në kujdesin parësor. Dr. Brunilda Cami theksoi efektet afatgjata të ndërhyrjes së hershme, ndërsa Dr. Enita Metaj diskutoi mbi simptomat që nuk duhet të shpërfillen në shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Në panelin e tretë, “Truri i fëmijëve në fokus: Nga klinika te mirëqënia e përgjithshme”, u trajtuan çështje që prekin zhvillimin neurologjik të fëmijëve. Dr. Besjana Hoxha foli për rëndësinë kritike të 1000 ditëve të para të jetës. Dr. Sonila Brati ndau përvojat klinike me epilepsinë te fëmijët, ndërsa Dr. Anjeza Shaqiri ndaloi te roli i ushqyerjes në zhvillimin neurologjik të fëmijëve.
Paneli i katërt, “Aksesi në kujdes dhe menaxhimi i paaftësisë”, solli në qendër vlerën e rehabilitimit multidisiplinar. Znj. Haxhire Kasaj, Drejtore e Drejtorisë së Shëndetit Publik dhe Edukimit Shëndetësor në DROSHKSH Tiranë, ndau përvojat e promocionit vjetor për shëndetin e trurit dhe mendor. Znj. Flogerta Doku, fizioterapiste argumentoi se rehabilitimi duhet të jetë pjesë integrale e trajtimit, jo vetëm një fazë përmbyllëse. Z. Kejdi Keçi solli rastin e menaxhimit të sëmundjes së Parkinsonit, ndërsa znj. Emanuela Mehmetaj diskutoi për lojën si stimulues i zhvillimit kognitiv. Znj. Irisa Curri ndau përvojat në rehabilitimin e të folurit pas goditjes në tru.
Paneli përmbyllës, i pesti, “Truri dhe emocionet, një lidhje e pandashme”, u fokusua në ndërlidhjen mes emocioneve dhe trurit. Andia Meksi nga Instituti i Shëndetit Publik prezantoi metodat bashkëkohore të psikoterapisë përmes teknologjisë. Znj. Elvana Agushi, psikologe, diskutoi për efektet e stresit afatgjatë në funksionet njohëse. Znj. Oriola Plaku, psikologe, analizoi ndikimin e epokës digjitale në zhvillimin emocional dhe kognitiv të fëmijëve. Z. Suad Arilla, punonjës social, vuri në dukje rëndësinë e mbështetjes psiko-sociale, ndërsa znj. Lulzime Gjyriqi, shpjegoi mënyrën se si truri përpunon emocionet dhe reagimet e tij ndaj ankthit, frikës apo gëzimit.
Aktiviteti u përmbyll me një seancë diskutimesh dhe reflektimesh. Moderatorja e mbylljes, znj. Ediona Kola, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët, duke përcjellë një mesazh përfundimtar për domosdoshmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërinstitucional për promovimin e shëndetit të trurit në çdo nivel dhe për çdo grupmoshë.
Ky forum shënoi një hap të rëndësishëm drejt një qasjeje më gjithëpërfshirëse, të orientuar drejt parandalimit dhe kujdesit të integruar për shëndetin e trurit në Shqipëri.