Më 7 korrik 2026, në Tiranë, u zhvillua takimi dhe trajnimi mbi demonstrimin e zëvendësimit të pajisjeve me merkur në kujdesin shëndetësor, në kuadër të projektit “Heqja e pajisjeve matëse me merkur nga kujdesi shëndetësor”, organizuar në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Programin e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) dhe Global Environment Facility (GEF). Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ekspertë të OBSH-së në Shqipëri dhe në nivel ndërkombëtar, si dhe përfaqësues nga Spitali Rajonal Dibër, Spitali Rajonal Vlorë dhe Spitali Rajonal Gjirokastër, të cilët janë pjesë e projektit pilot për zëvendësimin e pajisjeve me merkur në kujdesin shëndetësor. Nga Drejtoria Qendrore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (DQOSHKSH) morën pjesë Drejtoresha e Përgjithshme, znj. Jeta Deda, si dhe znj. Rolanda Merkuri, znj. Xhulia Trimi dhe znj. Elena Gjinaj.
Në hapje të aktivitetit, Drejtoresha e Përgjithshme e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, znj. Jeta Deda, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin e standardeve bashkëkohore në sistemin shëndetësor, duke nënvizuar angazhimin e OSHKSH-së për zëvendësimin gradual të pajisjeve që përmbajnë merkur me alternativa më të sigurta, në funksion të mbrojtjes së shëndetit të pacientëve, profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe mjedisit.
Gjatë sesioneve të trajnimit u trajtuan politikat dhe kuadri strategjik për eliminimin gradual të pajisjeve me mërkur, menaxhimi i sigurt i tyre dhe i mbetjeve që përmbajnë mërkur, si dhe prezantimi i alternativave moderne për pajisjet matëse që përdoren në institucionet shëndetësore. Pjesëmarrësit u njohën gjithashtu me praktikat më të mira për paketimin, monitorimin, dokumentimin dhe kontrollin e derdhjeve, në përputhje me procedurat standarde të sigurisë.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit iu kushtua planifikimit kombëtar për heqjen graduale të pajisjeve me mërkur, diskutimit të sfidave të hasura në zbatim, si dhe prezantimit të përvojave dhe rekomandimeve të ekspertëve të OBSH-së dhe UNEP-it. Përmes diskutimeve dhe ushtrimeve praktike u theksua nevoja për koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve përgjegjëse për të garantuar një proces të suksesshëm dhe të qëndrueshëm.
Në vijim të programit, pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe pune, ku zhvilluan sesione praktike mbi procesin e prokurimit të pajisjeve pa mërkur, specifikimet teknike, logjistikën dhe menaxhimin e riskut, si edhe mbi trajtimin, paketimin, etiketimin dhe menaxhimin e sigurt të pajisjeve dhe mbetjeve që përmbajnë mërkur. Aktiviteti u mbyll me prezantimin e përfundimeve të grupeve të punës, diskutimin e sfidave dhe dakordësimin mbi hapat e mëtejshëm për zbatimin e aktiviteteve demonstrative në kuadër të projektit.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor mbetet i angazhuar në zbatimin e praktikave bashkëkohore dhe të standardeve ndërkombëtare, duke kontribuar në modernizimin e shërbimeve shëndetësore dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt për pacientët dhe profesionistët e shëndetësisë.
