Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) mori pjesë në “1st Renal Academy by Albania and Sweden”, aktivitet i organizuar nga Ambasada e Suedisë në Tiranë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Shoqatën Shqiptare të Nefrologjisë. Akademia u zhvillua më 26 maj 2026 në ambientet e Hotel Marriott në Tiranë dhe mblodhi ekspertë shqiptarë dhe suedezë të fushës së nefrologjisë, përfaqësues të institucioneve shëndetësore dhe profesionistë të kujdesit shëndetësor.

Ky aktivitet shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Suedisë në fushën e kujdesit renal, duke synuar shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në drejtim të politikëbërjes, ofrimit të shërbimeve dhe kërkimit shkencor në nefrologji. Gjatë diskutimeve u trajtuan çështje të rëndësishme që lidhen me modelet e qëndrueshme të kujdesit të orientuar te pacienti, regjistrat kombëtarë të sëmundjeve renale, udhëzuesit klinikë, rolin e parandalimit dhe referimit në kohë te specialisti, si dhe rëndësia e edukimit të vazhdueshëm të profesionistëve të shëndetësisë.

Në fokus të akademisë ishte gjithashtu shkëmbimi i eksperiencave mbi transplantin renal dhe zhvillimet më të fundit në kërkimin shkencor drejt mjekësisë precize, me kontributin e ekspertëve të njohur nga Karolinska Institute dhe Karolinska University Hospital në Suedi, si dhe specialistëve shqiptarë të nefrologjisë.

Pjesëmarrja e OSHKSH në këtë aktivitet përforcon angazhimin institucional për mbështetjen e iniciativave që synojnë përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, forcimin e kujdesit parandalues dhe zhvillimin e politikave të qëndrueshme në funksion të pacientëve me sëmundje kronike renale.