Në kuadër të projektit SOLIDAR, më 13 maj 2026 vijoi në terren shpërndarja e pajisjeve digjitale dhe materialeve mbështetëse në institucionet shëndetësore përfituese, në funksion të forcimit të kapaciteteve profesionale dhe modernizimit të shërbimeve të emergjencave shëndetësore në vend. Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me OSHKSH, e cila u përfaqësua nga Zv. Drejtoresha e Përgjithshme znj. Rexhina Bici, ndërsa nga projekti SOLIDAR morën pjesë z. Ervin Toci dhe znj. Evis Sferdelli.

Në kuadër të këtij aktiviteti, ekipi zhvilloi një takim në Qendrën Socio-Shëndetësore 24/7 Vorë, ku Drejtueses së qendrës, znj. Shkëndije Gruda, dhe stafit shëndetësor iu shpërndanë pajisjet digjitale dhe materialet mbështetëse për shërbimet e emergjencave shëndetësore. Gjatë takimit u diskutua mbi rëndësinë e integrimit të mjeteve digjitale në praktikën e përditshme të personelit shëndetësor dhe ndikimin e tyre në përmirësimin e efikasitetit dhe cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve. Aktiviteti vijoi më pas në Spitalin Bashkiak Krujë, ku u zhvillua një takim me Drejtorin z. Taulant Simoni dhe stafin shëndetësor të institucionit.

Gjatë vizitave u realizua shpërndarja, konfigurimi dhe testimi i tabletëve në kushte reale pune, si edhe prezantimi i materialeve referuese për stafin mjekësor. Pajisjet e vendosura në përdorim mundësojnë regjistrimin në kohë reale të të dhënave, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit operacional dhe në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve të emergjencave shëndetësore.

Ky aktivitet përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në vijueshmërinë e projektit SOLIDAR dhe dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit institucional në mbështetje të modernizimit të sistemit shëndetësor. Nëpërmjet koordinimit me partnerët dhe angazhimit të strukturave shëndetësore vendore, OSHKSH vijon të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.