Gjatë datave 28–30 prill 2026, pranë zyrave të OBSH-së u zhvillua një cikël takimesh dhe vizitash në terren me ekspertë të huaj, në kuadër të procesit për rikonfigurimin e shërbimeve spitalore dhe forcimin e organizimit të sistemit shëndetësor në vend. Në këto aktivitete morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, FSDKSH, ISHP dhe OSHKSH e cila u perfaqesua nga Znj. Rolanda Merkuri, Drejtor i Drejtorisë së Racionalizimit të Kujdesit Shëndetësor. Në këtë takim u diskutua mbi sfidat aktuale të sistemit dhe mënyrat për përmirësimin e organizimit të shërbimeve shëndetësore.

Punimet nisën më 28 prill me diskutime teknike pranë zyrave të OBSH-së, ku ekspertët u fokusuan në mënyrën e koordinimit ndërinstitucional, strukturimin e të dhënave dhe përcaktimin më të qartë të roleve dhe përgjegjësive të institucioneve në sistemin shëndetësor. Një vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës për krijimin e një strukture mbështetëse që do të koordinonte mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, si dhe mënyrës se si do të ndërtohet dokumenti final për rikonfigurimin e shërbimeve spitalore.

Gjatë diskutimeve u evidentua gjithashtu rëndësia e forcimit të kujdesit shëndetësor parësor dhe përmirësimit të lidhjes ndërmjet tij dhe shërbimit spitalor. Duke u mbështetur në praktikat ndërkombëtare, ekspertët sugjeruan një qasje të strukturuar të analizës së sistemit, duke filluar nga niveli terciar, drejt atij rajonal dhe më pas në nivel bashkiak.

Në vijim të punimeve, më 29 prill, grupi realizoi vizita në Spitalin Memorial Fier, Spitalin Rajonal Fier dhe Spitalin Rajonal Elbasan. Gjatë këtyre vizitave, ekspertët dhe përfaqësuesit institucionalë u njohën nga afër me organizimin e shërbimeve, funksionimin e sistemit të referimit dhe sfidat që lidhen me menaxhimin e rasteve dhe shmangien e mbingarkesës së shërbimit spitalor.

Drejtuesit e institucioneve prezantuan gjithashtu planet për forcimin e kapaciteteve njerëzore, përmirësimin e infrastrukturës dhe zgjerimin e shërbimeve të ofruara, me synim rritjen e cilësisë dhe eficiencës së kujdesit shëndetësor.

Punimet u përmbyllën më 30 prill me një takim përmbledhës, gjatë të cilit ekspertët e huaj prezantuan gjetjet dhe rekomandimet paraprake për vijimin e procesit të rikonfigurimit të shërbimeve spitalore. Në fokus të rekomandimeve ishte nevoja për forcimin e koordinimit ndërmjet niveleve të kujdesit shëndetësor, përmirësimin e sistemit të referimit dhe ndërtimin e një modeli shërbimi të bazuar në nevojat reale të popullatës dhe tipologjinë e shërbimeve që secili spital do të ofrojë.

Ky proces pritet të shërbejë si një hap i rëndësishëm në hartimin e politikave dhe masave konkrete për rritjen e eficiencës, aksesit dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore në vend.