Në datën 5 maj 2026, pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, u zhvillua takimi i Grupit të Punës për hartimin e Planit të Veprimit për Edukimin e Vazhdueshëm Mjekësor (EVM) në fushën e urgjencave mjekësore në nivelin e kujdesit shëndetësor parësor. Takimi mblodhi përfaqësues të institucioneve shëndetësore, ekspertë të fushës dhe anëtarë të grupit të punës, me qëllim prezantimin dhe diskutimin e draftit përfundimtar të Planit të Veprimit, si dhe të procesit të kostimit dhe buxhetimit të tij.
Nga Drejtoria Qendrore e OSHKSH-së morën pjesë znj. Hygerta Goxhaj, Drejtoreshë e Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, si dhe znj. Amarilda Keli, Përgjegjëse e Sektorit në Drejtorinë e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, të cilat vlerësuan rëndësinë e forcimit të kapaciteteve profesionale të personelit shëndetësor në menaxhimin e urgjencave mjekësore dhe nevojën për një qasje të qëndrueshme dhe të integruar të edukimit të vazhdueshëm mjekësor në kujdesin shëndetësor parësor.
Gjatë takimit u prezantuan objektivat kryesore të Planit të Veprimit, synimet strategjike dhe treguesit kyç të performancës, duke u fokusuar në zhvillimin e njohurive, aftësive dhe kompetencave të profesionistëve shëndetësorë për ofrimin e një përgjigjeje të shpejtë, efektive dhe cilësore ndaj situatave emergjente. Diskutimet u përqendruan gjithashtu në mjetet dhe mekanizmat që do të mbështesin zbatimin e planit, përfshirë programet e certifikuara të edukimit të vazhdueshëm dhe garantimin e aksesit të barabartë për profesionistët që shërbejnë në zonat e largëta të vendit.
Në vijim, pjesëmarrësit shqyrtuan draftin e kostimit dhe buxhetimit të Planit të Veprimit, duke diskutuar mbi nevojat financiare dhe burimet e nevojshme për zbatimin e suksesshëm të tij. Anëtarët e grupit të punës dhanë sugjerime dhe komente konkrete për përmirësimin e dokumentit, si dhe dakordësuan hapat e mëtejshëm për finalizimin e procesit të hartimit të Planit të Veprimit për Edukimin e Vazhdueshëm Mjekësor në fushën e urgjencave mjekësore.
Ky plan synon të kontribuojë në forcimin e përgatitjes së sistemit shëndetësor për përballimin e emergjencave të shëndetit publik, në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve emergjente dhe në rritjen e kapaciteteve të kujdesit shëndetësor parësor, në përputhje me prioritetet e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021–2030 dhe standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të shërbimeve emergjente.
