Në vijim të angazhimit për rritjen e cilësisë së shërbimeve socio-shëndetësore dhe në kuadrin e mbështetjes së projektit Shëndet për të Gjithë(HAP), u zhvillua më datë 26 mars 2026 takimi konsultues mbi draft-manualin praktik të punonjësit social në Kujdesin Shëndetësor Parësor (KSHP).

Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor, si dhe mjekë, infermierë e punonjës socialë. Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor u përfaqësua nga znj. Rolanda Mërkuri, Drejtor i Drejtorisë së Racionalizimit të Kujdesit Shëndetësor dhe znj. Ersi Dobi, Përgjegjëse e Sektorit të Statistikave dhe Monitorimit. Bashkëpunimi i këtyre strukturave shërbeu për të analizuar sfidat dhe mundësitë e zbatimit të manualit në përputhje me nevojat e terrenit.

Ky aktivitet shënoi një hap të rëndësishëm drejt standardizimit të praktikave profesionale, duke synuar integrimin e plotë të shërbimit social brenda strukturave të mjekësisë familjare dhe parandalimit. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e një kuadri të qartë udhëzues që mbështet ekipet multidisiplinare në trajtimin e rasteve përmes qasjes biopsikosociale dhe modelit të kujdesit të integruar.

Gjatë seancave të punës, fokusi kryesor u vu në prezantimin e strukturës së manualit dhe në mbledhjen e mendimeve teknike nga perspektiva e praktikës. Përmes grupeve të punës, u diskutua mbi rolin, funksionet dhe kompetencat specifike të punonjësit social, duke analizuar fushat prioritare të ndërhyrjes si sëmundjet kronike, shëndeti mendor, dhuna në familje dhe mbështetja për grupet vulnerabël. Një vëmendje e veçantë iu kushtua proceseve të punës, që nga identifikimi i rastit deri te hartimi i planeve të ndërhyrjes, si dhe domosdoshmërisë për një koordinim dhe referim ndërinstitucional sa më efikas.

Përmbajtja e manualit u vlerësua si një instrument praktik që adreson nevojat reale të sistemit, duke përfshirë parimet etike, mbrojtjen e të dhënave dhe treguesit e performancës për matjen e suksesit të ndërhyrjeve. Në këtë kuadër, u nënvizua angazhimi i Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në fazën e mëpasshme, ku pas publikimit zyrtar, institucioni do të vijojë me shpërndarjen e këtij udhëzuesi në të gjitha institucionet e varësisë për zbatim. Ky proces synon të garantojë që çdo punonjës social të jetë i pajisur me mjetet e duhura profesionale për të ofruar një shërbim dinjitoz për qytetarët.