Në datat 12–13 shkurt 2026 u zhvillua në Tiranë trajnimi dy-ditor me temë “Kujdesi mjekësor për të moshuarit në KSHP nga Mjeku dhe Infermieri i Familjes”, i realizuar nga HAP, i cili kishte si qëllim forcimin e kapaciteteve profesionale të stafit mjekësor të shërbimit shëndetësor parësor për ofrimin e kujdesit cilësor ndaj popullatës së moshuar, si dhe përgatitjen për përcjelljen e njohurive në nivel qendre shëndetësore përmes mekanizmit të Grupit të Kolegëve. OSHKSH u përfaqësua në këtë aktivitet nga Ersi Dobi, Ana Selimaj dhe Shpresa Shpani, të cilat morën pjesë në mënyrë aktive në sesionet teorike dhe praktike të trajnimit.

Trajnimi u drejtua nga Dr. Sosela Rrusho dhe nga infermierja znj. Albana Metohu, duke u mbështetur në “Manualin Kujdesi mjekësor për të moshuarit në KSHP”, instrumentet klinike përkatëse dhe udhëzuesit për organizimin dhe funksionimin e Grupit të Kolegëve. Programi i ditës së parë u fokusua në problematika të shpeshta të moshës së tretë, përfshirë osteoporozën, rrëzimet, demencën dhe depresionin tek të moshuarit. Çdo temë u trajtua përmes prezantimit të udhëzuesve klinikë, diskutimeve në grup dhe analizës së rasteve konkrete, duke theksuar rolin kyç të mjekut dhe infermierit të familjes në identifikimin e hershëm, menaxhimin dhe ndjekjen e pacientëve, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit multidisiplinar me profesionistë të tjerë dhe me familjarët apo kujdestarët.

Gjatë vijimit të trajnimit u prezantua në mënyrë të detajuar koncepti i Grupit të Kolegëve si një formë e edukimit në vazhdim në vendin e punës, duke u ndalur në procedurat e aplikimit, planifikimin e takimeve, përdorimin e formularëve të vlerësimit dhe mekanizmat e raportimit. Dita e dytë u përqendrua në çështje të tjera me rëndësi për shëndetin e të moshuarve, si inkontinenca urinare, problemet e ushqyerjes dhe të peshës, përshkrimi racional i barnave dhe vlerësimi geriatrik në KSHP. Trajnimi u zhvillua në mënyrë interaktive dhe të orientuar drejt praktikës, me theks të veçantë në përdorimin e instrumenteve klinike dhe zbatimin e protokolleve sipas manualit, si dhe në reduktimin e polifarmacisë dhe rritjen e sigurisë së pacientit të moshuar.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve të OSHKSH në këtë trajnim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve profesionale të shërbimit shëndetësor parësor. Njohuritë dhe materialet e përfituara do të shërbejnë si bazë për përmirësimin e praktikës së përditshme klinike dhe për organizimin e sesioneve të brendshme trajnuese në kuadër të Grupit të Kolegëve, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor për popullatën e moshuar.