Më datë 9 dhjetor, u zhvillua takimi me temë “Shëndeti mendor te të rinjtë, përballja me sfidat e sotme”, aktivitet i organizuar nga Youth Pulse Network, në partneritet me Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Qendrën Youth Act, në kuadër të projektit Regional Youth Dialogue for Europe, i financuar nga Bashkimi Europian. Qëllimi i takimit ishte nxitja e dialogut konstruktiv mbi sfidat e shëndetit mendor të të rinjve dhe identifikimi i qasjeve praktike për përmirësimin e ndërgjegjësimit, aksesit në shërbime dhe mbështetjes psikosociale në nivel komunitar.
Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të z. Denis Ilias, përfaqësues i Youth Pulse Network, i cili evidentoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për forcimin e mekanizmave mbështetës për të rinjtë. Në vijim, folëset kryesore të takimit, znj. Arjola Manreka, psikologe pranë Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor Nr. 1 Tiranë; znj. Gritli Shllaku, punonjëse sociale pranë Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor Nr. 2 Tiranë; znj. Milena Turtulli, psikologe pranë QKMSH Nr. 3 Tiranë; dhe znj. Dorela Gjuzi, psikologe pranë QKSHM Kavajë, prezantuan temat kryesore që lidhen me shëndetin mendor të të rinjve. Ato u ndalën te vështirësitë emocionale, presionet sociale dhe akademike, si edhe te ndikimi i platformave digjitale në qasjen ndaj mbështetjes dhe informacionit. Gjithashtu, u theksua roli i familjes dhe institucioneve arsimore në krijimin e një mjedisi mbështetës që mundëson identifikimin e hershëm të nevojave dhe orientimin drejt shërbimeve profesionale.
Gjatë bashkëbisedimit që pasoi prezantimet, pjesëmarrësit trajtuan çështje që lidhen drejtpërdrejt me realitetin e të rinjve dhe identifikuan nevoja që kërkojnë adresim të mëtejshëm në nivel komunitar dhe institucional. Diskutimet kontribuan në thellimin e kuptimit mbi problematikat aktuale dhe rëndësinë e zhvillimit të iniciativave të qëndrueshme në fushën e shëndetit mendor.
Në përmbyllje, u nënvizua rëndësia e vijimit të këtij dialogu dhe e organizimit të aktiviteteve të tjera me fokus te mirëqenia mendore e të rinjve, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për përmirësimin e aksesit dhe cilësisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësor në nivel komunitar dhe kombëtar.
