Më datë 1 dhjetor 2025, në kuadër të proçesit të Vetëvlerësimit të Përbashkët (Joint External Evaluation – JEE), i cili zhvillohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), u zhvillua një vizitë në institucionet kryesore të kujdesit shëndetësor të qarkut Vlorë. Vizita u realizua nga ekspertët ndërkombëtarë të JEE, të cilët u shoqëruan nga përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Prof. Asc Dr. Silva Bino, dhe znj. Rolanda Merkuri, Drejtoreshë e Drejtorisë së Racionalizimit të Kujdesit Shëndetësor pranë OSHKSH.
Qëllimi i vizitës ishte vlerësimi i kapaciteteve ekzistuese për parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj kërcënimeve të shëndetit publik, në përputhje me kërkesat e Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit (IHR 2025).
Një nga insitucionet e vizituara ishte Drejtoria Rajonale e OSHKSH Vlorë, ku ishin të pranishëm Drejtori i Shërbimit Parësor, z. Zini Shakaj, dhe Drejtori i Shërbimit Spitalor, z. Ardian Musta. Në këtë institucion u vlerësua organizimi i operatorit rajonal, komunikimi ndërmjet niveleve të shërbimit, bashkërendimi me Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe Spitalin Rajonal, si dhe proçedurat e reagimit në emergjenca shëndetësore.
Vizita vijoi në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Vlorë, ku i pranishëm ishte Drejtori i NJVKSH, z. Myzafer Islamaj, Shefi i Shërbimeve Epidemiologjike, mjeku epidemiolog z. Agron Bashllari, si dhe stafi përkatës i epidemiologjisë, survejancës, imunizimit dhe laboratorit. Ekspertët vlerësuan kapacitetet e survejancës epidemiologjike, identifikimin dhe raportimin e sëmundjeve sipas IHR, zbatimin e programit të imunizimeve, funksionimin e laboratorit bakteriologjik, si dhe komunikimin me ISHP dhe operatorin rajonal.
Po ashtu, vizita përfshiu Spitalin Rajonal Vlorë, ku ishin të pranishëm Drejtoresha e Spitalit, Dr. Lorena Arapaj, e cila mbulon edhe detyrën e Shefes së Urgjencës, si dhe stafi mjekësor dhe teknik i shkencave mjekësore të shërbimeve të urgjencës, dispancerisë, shërbimit efektiv dhe radiologjisë. Në këtë spital u vlerësua funksionimi i Shërbimit të Urgjencës dhe menaxhimi i rasteve emergjente, Shërbimi i Radiologjisë dhe kapacitetet diagnostike, Dispanceria e Sëmundjeve të Mushkërive në kuadër të monitorimit të TBC- së, kontrolli i infeksioneve spitalore dhe proçedurat standarte, si dhe flukset e referimit dhe komunikimit të rasteve të dyshuara ose të konfirmuara.
Kjo vizitë mundësoi vlerësimin e drejtpërdrejtë të proçeseve kyçe operacionale në të tre nivelet e kujdesit shëndetësor në qarkun e Vlorës dhe ofroi një pasqyrë të qartë të kapaciteteve aktuale për zbatimin e kërkesave të Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit (IHR).
