Më datë 6 nëntor 2025, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) mori pjesë në takimin e organizuar në ambjentet e e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), në kuadër të Ditëve të Shëndetit të planifikuara për muajin nëntor. Aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrjen e specialistëve të edukimit dhe promocionit shëndetësor nga të gjitha Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) të vendit.

OSHKSH u përfaqësua nga Znj. Lorena Muhametaj, Përgjegjëse e Sektorit të Harmonizimit të Strategjive dhe Programeve, dhe Znj. Rudina Koçi, Specialiste në të njëjtin sektor, pranë Drejtorisë së Harmonizimit të Kujdesit Shëndetësor.

Ky aktivitet kishte si synim forcimin e rolit të sektorit të promocionit shëndetësor në ndërgjegjësimin e popullatës për sëmundjet dhe temat kryesore të muajit nëntor, si diabeti, rezistenca ndaj antibiotikëve, sëmundjet e mushkërive (SPOK), shëndeti riprodhues dhe parandalimi i dhunës me bazë gjinore.

Ekspertë të fushës nga Instituti i Shëndetit Publik prezantuan mesazhe për secilën ditë, si dhe propozuan aktivitete të ndryshme që mund të zhvillohen në nivel lokal dhe mesazhe sensibilizuese, me qëllim përhapjen e informacionit dhe ndërgjegjësimin e komunitetit. Gjatë takimit u ndanë përvoja dhe ide për të mbështetur punën e specialistëve të promocionit në NJVKSH-të, ndërsa në përmbyllje iu shpërndanë postera dhe materiale informuese.

Ky takim forcon rolin e OSHKSH në rritjen e efektivitetit të promocionit shëndetësor. Ai gjithashtu mundëson shkëmbimin e praktikave më të mira, zhvillimin e ideve të reja për aktivitete lokale dhe rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit mbi sëmundjet dhe temat kryesore shëndetësore të muajit nëntor.