U vizitua Qendra Socio-Shëndetësore 24/7 Mamurras, e cila funksionon në varësi të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Kurbin. Qendra është rikonstruktuar me financimin e bashkisë Kurbin, një investim që ka përmirësuar dukshëm infrastrukturën dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore për komunitetin. Punimet për rikonstruksionin nisën në tetor të vitit 2023 dhe përfunduan në maj të vitit 2025, duke e kthyer qendrën në një strukturë moderne që ofron shërbim shëndetësor më të sigurt dhe bashkëkohor për popullsinë e njësisë administrative Mamurras, me një mbulim prej rreth 20.000 banorësh.
Qendra disponon një strukturë të plotë me 52 punonjës, ndër të cilët 9 mjekë, 35 infermierë, 1 laborant, 1 psikolog, 1 ekonomist, 3 shoferë dhe 2 sanitarë. Shërbimet ofrohen në mënyrë të pandërprerë, me urgjencë mjekësore që funksionon 24 orë në 7 ditë të javës, duke garantuar ndihmë për çdo rast emergjent. Në varësinë e QSH Mamurras funksionojnë 4 ambulanca në Fushë Mamurras, Shpërdhet, Gjorëm dhe Zhejë, të cilat mbulojnë një popullsi prej 2000-2300 banorësh secila.
Gjatë vitit 2025, në Qendrën Socio-Shëndetësore Mamurras u realizuan 24 666 vizita pranë mjekut të familjes, 790 kontrolle check-up, u depistuan për kancer gjiri 471 gra, u realizuan 606 vizita në shtëpi për 34 pacientë, si dhe u zhvilluan 18 konsulta me psikologun. Ndërsa gjatë vitit 2024 u realizuan 27 864 vizita pranë mjekut të familjes, 1 394 kontrolle check-up, u depistuan për kancer gjiri 389 gra dhe u zhvilluan gjithsej 104 konsultime me psikologun.
Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Kurbin ka në varësi Qendrën Shëndetësore Laç, Qendrën Shëndetësore Mamurras, Qendrën Shëndetësore Milot dhe Qendrën Shëndetësore Fushë-Kuqe, me një mbulim prej rreth 34,405 banorësh. Në përputhje me paketën bazë të shërbimeve, të gjitha qendrat ofrojnë kujdes shëndetësor parësor, duke përfshirë shërbimet e mjekësisë familjare, konsultorin e gruas, konsultorin e fëmijës, si dhe shërbimet e urgjencës mjekësore. Së fundmi, në këto struktura është integruar edhe roli i psikologut, i cili ofron mbështetje dhe shërbime psikosociale për individët dhe familjet në nevojë.
Në kuadër të monitorimit mjedisor dhe laboratorik, në këto qendra shëndetësore janë kryer 2663 analiza mikrobiologjike të ujit të pijshëm, 208 koprokultura dhe 5 urokultura. Raportimet mbi sëmundshmërinë infektive dhe aktivitetin laboratorik përcillen në mënyrë periodike tek Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Shkodër, në zbatim të rregulloreve dhe direktivave përkatëse. Të dy sektorët raportojnë çdo muaj mbi ecurinë e shërbimeve, cilësinë e ofrimit të tyre, zbatimin e protokolleve dhe gjendjen infrastrukturore të institucioneve në varësi.
Rikonstruksioni i Qendrës Socio-Shëndetësore 24/7 Mamurras përbën një hap të hap të rëndësishëm në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në territorin e Bashkisë Kurbin, duke siguruar standarte më të larta infrastrukturore dhe shërbime më cilësore për komunitetin.
