Në kuadër të ftesës së ardhur nga Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor u angazhua aktivisht në takimin profesional të mbajtur më datë 10 tetor, me temë “Të folurit dhe ndikimi i teknologjisë”, pjesë e ciklit të COD “Të rritesh me teknologjinë”.
Në përgjigje të kësaj ftese, OSHKSH bëri të mundur pjesëmarrjen e logopedëve, psikologëve dhe punonjësve socialë, pjesë të stafeve të qendrave shëndetësore, të cilët luajnë një rol kyç në kujdesin parësor mbi identifikimin dhe mbështetjen e fëmijëve me vështirësi në të folur.
Gjatë takimit, u trajtuan çështje që lidhen me ndikimin e ekspozimit të hershëm ndaj teknologjisë në zhvillimin e të folurit, dhe rëndësia që ka ndërhyrja e hershme përmes vlerësimeve të strukturuara dhe mbështetjes së duhur për fëmijët dhe familjet.
OSHKSH thekson se kujdesi shëndetësor parësor po përforcohet gjithnjë e më shumë si një strukturë multidisiplinare, ku profesionistë të fushave të ndryshme bashkëpunojnë për të ofruar një shërbim cilësor, të integruar dhe gjithëpërfshirës në komunitet. Qendrat Shëndetësore janë gjithnjë e më shumë jo vetëm pikat e para të kontaktit me sistemin shëndetësor, por edhe hapësira që ofrojnë ndërhyrje të specializuar në mënyrë të hershme dhe të koordinuar.
Nëpërmjet pjesëmarrjes në këto takime ndërinstitucionale dhe profesionale, OSHKSH synon të kontribuojë në një dialog të vazhdueshëm për zhvillimin e politikave efektive në shëndetin e fëmijëve, si dhe të fuqizojë rolin e shërbimeve të saj në përballjen me sfida të kohës, siç është edhe problematika globale e vonesave në të folur tek fëmijët.