Në ambientet e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, u zhvillua nënshkrimi i Deklaratës së Partneritetit mes OSHKSH-së dhe Youth Pulse Network një grup rinor që ka në fokus shëndetin mendor dhe riprodhues të të rinjve në rajon. Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm, znj. Jeta Deda, dhe përfaqësuesi i grupit rinor, z. Denis Ilias, duke shënuar kështu fillimin e një bashkëpunimi me vlera të rëndësishme për shëndetin publik dhe përfshirjen e të rinjve në proceset vendimmarrëse.
Youth Pulse Network është një grup i përbërë nga pesë të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët janë angazhuar për të adresuar sfidat që përballen bashkëmoshatarët e tyre në fushën e shëndetit mendor dhe riprodhues. Përmes projektit “Youth Pulse Health Talks Forum”, ata synojnë të krijojnë hapësira dialogu dhe bashkëpunimi midis të rinjve dhe institucioneve shëndetësore, duke kontribuar drejtpërdrejt në hartimin e politikave publike që u përgjigjen nevojave reale të kësaj grupmoshe.
Ky projekt realizohet në kuadër të programit rajonal “Regional Youth Dialogue for Europe” (RYDE), një nismë e financuar nga Bashkimi Evropian, që mbështet përfshirjen aktive të të rinjve në zhvillimin demokratik dhe promovimin e vlerave evropiane në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Përmes këtij partneriteti, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor do të ofrojë mbështetje për zbatimin konkret të disa prej aktiviteteve kyçe të projektit. Një prej tyre është shpërndarja e sondazhit online “Youth Health Needs Survey”, me qëllim identifikimin e nevojave të të rinjve në fushën e shëndetit.
👉 Linku i sondazhit: https://forms.gle/MhhMëpLR6qT9ZBSHA
Gjithashtu, OSHKSH do të sigurojë pjesëmarrjen e ekspertëve të shëndetësisë në forumet “Youth Health Talks”, ku të rinjtë do të kenë mundësinë të diskutojnë, të parashtrojnë pyetje dhe të ndajnë mendimet e tyre me profesionistë të fushës. Një tjetër komponent i rëndësishëm është punëtoria “Co-Creation workshop”, ku të rinjtë, në bashkëpunim me përfaqësues institucionalë dhe ekspertë, do të hartojnë rekomandime konkrete për përmirësimin e politikave shëndetësore që ndikojnë drejtpërdrejtë jetën e tyre.
Ky partneritet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një ure besimi midis të rinjve dhe institucioneve publike. Ai reflekton vullnetin për të krijuar një qasje më gjithëpërfshirëse, transparente dhe të ndjeshme ndaj nevojave të brezit të ri.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor mbetet i përkushtuar në mbështetjen e nismave rinore që promovojnë shëndetin, mirëqenien dhe pjesëmarrjen aktive qytetare. Ne besojmë se energjia, zëri dhe perspektiva e të rinjve janë elementë thelbësorë për ndërtimin e një sistemi shëndetësor modern, të hapur dhe të orientuar drejt komunitetit.