Në kuadër të projektit “Shkollat për Shëndetin”, të zbatuar nga Save the Children Albania dhe mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), u zhvillua takimi i parë kombëtar i koordinatorëve të shëndetit në shkolla, një ngjarje që për herë të parë mblodhi së bashku profesionistët e kujdesit shëndetësor në shkolla, institucionet publike dhe partnerët ndërkombëtarë.
Në hapje të aktivitetit u dhanë fjalët përshëndetëse nga drejtues të institucioneve dhe organizatave të përfshira, mes tyre znj. Anila Meço, Drejtoreshë Ekzekutive e Save the Children, znj. Denada Seferi, Zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, znj. Jeta Deda, Drejtoreshë e Përgjithshme e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, si dhe znj. Sabine Piccard, Shefe e Sektorëve të Qeverisjes dhe Shëndetësisë në Ambasadën e Zvicrës në Shqipëri.
Ky aktivitet shënoi një moment të rëndësishëm në rrugëtimin për forcimin e rolit të koordinatorëve të shëndetit në shkolla dhe të infermierëve shkollorë, të cilët janë aktorë kyç në kujdesin për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve. Pjesëmarrja e OSHKSH në këtë aktivitet ishte me vlerë të veçantë, pasi institucioni ka rolin qendror në drejtimin, koordinimin dhe mbikëqyrjen e shërbimeve të kujdesit shëndetësor në shkolla, duke garantuar standarde të unifikuara dhe të qëndrueshme në mbarë vendin.
Gjatë punimeve u prezantua drafti i Manualit të Koordinatorit të Shëndetit në Shkolla nga znj. Suela Vasil, ndërsa znj. Valbona Paluka drejtoi diskutimet mbi përmbajtjen dhe rëndësinë e këtij dokumenti orientues. Po ashtu, pjesëmarrësit u përfshinë në sesione trajnuese mbi ndihmën e parë dhe reagimin në situata emergjente në shkolla, të zhvilluar nga znj. Megi Cekini, si dhe mbi kujdesin gjithëpërfshirës dhe mbështetjen për fëmijët me aftësi të kufizuara, të prezantuar nga znj. Rezarta Sheshaj.
Moderator i paneleve ishte profesori i njohur i sociologjisë, Gëzim Tushi, i cili me profesionalizmin dhe përvojën e tij udhëhoqi diskutimet, duke sjellë një reflektim më të gjerë mbi rolin dhe sfidat e koordinatorëve të shëndetit dhe infermierëve shkollorë në sistemin arsimor dhe shëndetësor.
Në këtë kuadër u prezantua edhe Manuali i Infermierit të Shkollës dhe u theksua rëndësia e Portalit të Njohurive, tashmë i integruar në faqen zyrtare të OSHKSH, i cili përmbledh të gjitha materialet e projektit: fletëpalosje, manuale, udhëzues dhe mjete digjitale të cilat do të shërbejnë si mbështetje e drejtpërdrejtë për punën në terren të specialistëve të shëndetit.
Në fjalën e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e OSHKSH, znj. Jeta Deda, nënvizoi se institucioni ka ndërmarrë hapa konkretë për fuqizimin e rolit të profesionistëve të kujdesit shëndetësor në shkolla, për promovimin e edukimit shëndetësor në komunitete dhe për integrimin e materialeve dhe mjeteve orientuese në një platformë të unifikuar kombëtare.
Takimi i parë kombëtar i koordinatorëve të shëndetit në shkolla shënon një hap të rëndësishëm drejt institucionalizimit të praktikave më të mira dhe krijimit të një sistemi gjithëpërfshirës, ku çdo fëmijë në Shqipëri të ketë akses në shërbime shëndetësore të sigurta, të unifikuara dhe cilësore brenda mjedisit shkollor. Përmes politikave, mbështetjes teknike dhe koordinimit ndërinstitucional, OSHKSH mbetet e përkushtuar në garantimin e shëndetit dhe mirëqenies së brezave të rinj.