Më 28 korrik 2025, në Sheshin “Abaz Kupi” përballë Bashkisë së Krujës, u organizua një aktivitet ndërgjegjësues për Ditën Botërore të Hepatiteve, me temën “HEPATITET – Le t’i analizojmë: Njihni faktet, ndërmerrni veprime. Roli ynë në eliminimin e hepatiteve deri në 2030”. Ky aktivitet u organizua nga Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, në bashkëpunim me Spitalin Bashkiak “Stefan Gjoni” dhe Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Krujë, dy struktura shëndetësore këto të fundit që prej më shumë se 50 vitesh mbajnë një traditë të konsoliduar në trajtimin dhe ndjekjen e hepatiteve virale në këtë zonë.
Në orët e para të paradites, u hap një stendë informuese për qytetarët, ku u shpërndanë materiale edukative dhe u ofruan informacione mbi rëndësinë e testimit, vaksinimit dhe trajtimit të hepatiteve, duke ofruar edhe testime falas. Aktiviteti vijoi me një hapje zyrtare, që u moderua nga infermierja Xhovana Blushi dhe ku përshëndetën pjesëmarrësit drejtues të institucioneve organizuese dhe bashkëpunëtore. Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Krujë, z. Redion Roshi, theksoi përkushtimin e strukturës që ai drejton për të vijuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm ndjekjen epidemiologjike dhe promovimin e masave parandaluese. Drejtoresha e Spitalit Bashkiak “Stefan Gjoni”, znj. Yllka Kukalaj (Sheta), solli në vëmendje historikun dhe përvojën e gjatë të spitalit në diagnostikimin dhe trajtimin e hepatiteve. Drejtoresha e Përgjithshme e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, znj. Jeta Deda, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit mes strukturave vendore dhe rajonale dhe angazhimin konkret të profesionistëve të Krujës për të qenë çdo vit pjesë e përpjekjes kombëtare për eliminimin e hepatiteve. Në emër të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, përshëndeti edhe znj. Bora Çela Kaziu, Nëndrejtore Teknike, duke ndarë rolin që transfuzioni i gjakut ka luajtur ndër vite në identifikimin e rasteve të reja me hepatit.
Pas sesionit hapës, aktiviteti vijoi me tre panele diskutimi. Në panelin e parë, i cili kishte në fokus parandalimin dhe ndërgjegjësimin, morën pjesë emra me përvojë të gjatë në shërbimin shëndetësor. Dr. Bajam Dallaku, një nga infeksionistët më me përvojë në historinë e spitalit të Krujës, foli për mënyrat e transmetimit dhe masat parandaluese. Dr. Ervin Karafili, shef i epidemiologjisë dhe shëndetit mjedisor në NJVKSH Krujë, solli përvojën e terrenit dhe angazhimin në vaksinimin sistematik. Ndërsa znj. Babeta Rexhepi, kryeinfermiere dhe vaksinatore pranë Qendrës Shëndetësore Nikël, ndau nevojën për të luftuar mitet dhe dezinformimin mbi vaksinimin.
Në panelin e dytë, që u fokusua në testimin dhe kujdesin pas diagnozës, u trajtua aksesueshmëria ndaj protokolleve të trajtimit dhe sfidat që lidhen me zbulimin e hershëm të hepatiteve. Dr. Mimoza Tali, infeksioniste pranë Spitalit Bashkiak Krujë, prezantoi përvojën klinike të përditshme dhe rrugët e ndjekjes për pacientët e diagnostikuar. Dr. Anisa Daka, shefe e laboratorit të këtij spitali, foli për metodat laboratorike të përdorura dhe rëndësinë e kapjes së rasteve që në faza të hershme. Ndërsa Dr. Nazmi Mamaçi, mjek familje dhe drejtor i QSH Bubq, ngriti pyetjen thelbësore nëse jemi ende në kohë për të përmbushur objektivin e eliminimit të hepatiteve deri në vitin 2030, duke u ndalur tek roli kritik i mjekut të familjes në këtë proces.
Në panelin e tretë u trajtuan aspektet psikosociale dhe roli i komunitetit dhe institucioneve në mbështetjen e pacientëve pas vendosjes së diagnozës. Dr. Kastriot Mustafa, mjek psikiatër në Spitalin e Krujës, foli për pasojat emocionale që sjell diagnoza me hepatit dhe nevojën për mbështetje psikologjike. Dr. Anita Çela, mjeke familje në Qendrën Shëndetësore Fushë Krujë, ndau vështirësitë që has mjeku i familjes në ndjekjen e pacientëve pas diagnozës, përfshirë stigmën dhe mungesën e informimit të saktë. Znj. Bora Çela Kaziu solli në vëmendje të dhënat e rasteve të zbuluara përmes dhurimit të gjakut.
Aktiviteti u mbyll me falenderime për të gjithë pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët nga moderatorja Viola Manushi, e cila theksoi se vetëm përmes njohjes së fakteve, edukimit të vazhdueshëm dhe veprimit të përbashkët mund të ecim me hapa të sigurt drejt eliminimit të hepatiteve deri në vitin 2030.
Ky aktivitet tregoi edhe një herë se OSHKSH dhe strukturat e saj partnere në terren janë të përkushtuara për të informuar, për të ndihmuar dhe për të mbështetur qytetarët në çdo hap të rrugës drejt një shëndeti më të mirë.