Në kuadër të një angazhimi konkret për hapje institucionale dhe përfshirje të të rinjve, përfaqësues të rinj nga organizata IRCA (Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri) dhe rrjetit informal Youth Pulse Network vizituan ambientet e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH). Kjo vizitë shënoi një tjetër hap domethënës në përfshirjen aktive të të rinjve dhe komuniteteve të margjinalizuara, si komunitetet rom dhe egjiptian, apo grupet LGBTQI, në proceset institucionale që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin publik dhe aksesin në shërbime cilësore.
Takimi u zhvillua në hapësirat e oborrit të OSHKSH-së, ku të rinjtë u pritën në një atmosferë të hapur dialogu, nën moton e përbashkët: “Institucionet duhet të jenë të qasshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente për të gjithë qytetarët, pa përjashtim”.
Gjatë vizitës, pjesëmarrësit u njohën me mënyrën se si funksionon Operatorit i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, si është strukturuar puna në nivel qendror dhe rajonal, dhe si garantohet cilësia dhe monitorimi i shërbimeve shëndetësore në mbi 360 qendra shëndetësore dhe dhjetëra spitale të përfshira në sistem. U prezantuan gjithashtu praktikat më të mira të rekrutimit të profesionistëve të shëndetit përmes portaleve “Mjek për Shqipërinë” dhe “Infermier për Shqipërinë”, ku theksi u vu te digjitalizimi dhe transparenca si garanci që proceset të mos njohin diskriminim të asnjë forme, qoftë në baza etnike, gjinore apo identiteti personal.
Për të sjellë një pasqyrë më të plotë të bashkëpunimeve ndërinstitucionale në fushën e shëndetit publik, u ndanë shembuj konkretë të koordinimit të përditshëm me institucione të tjera që ndodhen fizikisht pranë OSHKSH-së, si Spitali Universitar i Traumës dhe Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut. Pjesëmarrësit patën mundësi të shohin nga afër sesi funksionon një ndërhyrje emergjente në kohë reale: një helikopter i urgjencës kombëtare u ul për të transportuar një të sëmurë që kishte nevojë për trajtim të menjëhershëm.
Ky moment konkret dhe simbolik shërbeu si një ilustrim i qartë i misionit të sektorit të shëndetësisë për të garantuar shërbime të aksesueshme, efikase dhe të koordinuara për çdo qytetar, pavarësisht sfondit social apo përkatësisë komunitare.
Në përfundim, vizita u vlerësua si një mundësi e vyer për rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve mbi funksionimin e institucioneve publike dhe një ftesë e hapur për bashkëpunim të mëtejshëm me përfaqësues të shoqërisë civile dhe grupeve të margjinalizuara. Operatorët publikë të shëndetit jo vetëm që janë të hapur ndaj të rinjve, por e konsiderojnë pjesëmarrjen e tyre një gur themeli për ndërtimin e një sistemi shëndetësor më të drejtë dhe më përfaqësues për të gjithë.