Më 26 qershor 2025, në kuadër të projektit “Avancimi i Barazisë Gjinore nëpërmjet Mbikëqyrjes dhe Raportimit në Shqipëri”, të financuar nga Bashkimi Evropian, u zhvillua një aktivitet për validimin e gjetjeve të raportit studimor “Vlerësimi i sfidave dhe reagimeve institucionale ndaj dhunës me bazë gjinore në sistemin e kujdesit parësor shëndetësor në Shqipëri”.

Takimi mblodhi profesionistë të shëndetësisë, përfaqësues të institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile, për të diskutuar mbi gjetjet e raportit dhe për të ndarë rekomandime konkrete për përmirësimin e reagimit institucional ndaj rasteve të dhunës me bazë gjinore. Pjesëmarrës ishin mjekë, infermierë, punonjës socialë, përfaqësues nga Bashkia Tiranë, Shërbimi Social, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Drejtoria Qendrore e OSKSH-së, si dhe organizata që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore.

Gjatë diskutimeve, Mirela Arqimandriti, përfaqësuese e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim, theksoi se dhuna me bazë gjinore mbetet një sfidë serioze në Shqipëri dhe se nevojitet angazhim i qëndrueshëm nga të gjithë aktorët. Ajo nënvizoi domosdoshmërinë për trajnime të vazhdueshme, përmirësim të procedurave dhe dokumentimit, si dhe forcim të bashkëpunimit ndërinstitucional.

Nga ana e saj, Elisabeta Koza nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vlerësoi rëndësinë e trajtimit të kësaj çështjeje si një përparësi strategjike, duke theksuar se Strategjia Kombëtare e Barazisë Gjinore 2021–2030 ofron udhëzime të qarta për përmirësimin e mbrojtjes dhe mbështetjes ndaj viktimave, përfshirë format e reja të dhunës, si ajo dixhitale dhe psikologjike.

Lorena Muhametaj, përfaqësuese e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, vuri në dukje se angazhimi i profesionistëve të shëndetit është thelbësor për identifikimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës, duke siguruar mbrojtje dhe kujdes cilësor për viktimat.

Raporti i prezantuar përfaqëson një analizë të thelluar të mekanizmave ekzistues në sistemin shëndetësor dhe rekomandon masa konkrete për përmirësimin e identifikimit dhe referimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore. Ai synon të kontribuojë në ndërtimin e politikave efektive dhe të qëndrueshme në këtë fushë.

Aktiviteti u organizua nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC), në bashkëpunim me Shoqatën Together for Life dhe Institutin e Kulturës Rome në Shqipëri (IRCA), si pjesë e angazhimit të tyre për fuqizimin e reagimit institucional dhe avancimin e të drejtave të grave dhe vajzave në Shqipëri.