Gjatë muajve mars, prill dhe maj, Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Shqipëri ka vijuar organizimin e takimeve të rregullta të Komitetit Kombëtar Drejtues të Projektit për eliminimin e pajisjeve matëse me përmbajtje merkuri nga sistemi shëndetësor. Këto takime shërbejnë si platformë ndërinstitucionale për të ndjekur ecurinë e projektit, për të adresuar sfidat dhe për të koordinuar hapat e mëtejshëm me përfaqësues të institucioneve kyçe kombëtare dhe partnere ndërkombëtare.
Takimet drejtohen dhe mbledhin rregullisht përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,  Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor. Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Instituti i Shëndetit Publik, Operatori i Kujdesit Shëndetësor, si dhe ekspertë teknikë në fushën e mbetjeve të rrezikshme dhe fizikës bërthamore.
Një rol të rëndësishëm në këto takime ka pasur Drejtoresha e Përgjithshme e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor, znj. Jeta Deda, e cila ka theksuar angazhimin e strukturave shëndetësore në procesin e zëvendësimit të pajisjeve matëse me merkur dhe nevojën për një qasje të koordinuar për menaxhimin e mbetjeve. Gjithashtu, znj. Xhuljana Trimi, specialiste pranë OSHKSH dhe eksperte e fizikës bërthamore, ka ofruar këshillim teknik mbi aspektet e sigurisë gjatë ruajtjes, transportit dhe asgjësimit të pajisjeve dhe mbetjeve me përmbajtje merkuri.
Gjatë takimeve, pjesëmarrësit kanë diskutuar mbi:
  • Miratimin e Planit të Aktiviteteve dhe Parashikimin e Buxhetit për periudhat në vijim;
  • Prezantimin dhe përmirësimin e Planit të Përfshirjes së Palëve të Interesuara, i cili synon të forcojë transparencën dhe gjithëpërfshirjen;
  • Propozimet për ndalimin e prokurimit të pajisjeve me përmbajtje merkuri përmes udhëzimeve dhe akteve shtesë;
  • Nevojën për ndërtimin e një strategjie kombëtare për eliminimin përfundimtar të këtyre pajisjeve dhe mbetjeve të tyre, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Një tjetër aspekt thelbësor i diskutuar ka qenë magazinimi i përkohshëm i pajisjeve të grumbulluara dhe opsionet për një plan të qëndrueshëm për trajtimin dhe asgjësimin e tyre sipas standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes së mjedisit.
Projekti i mbështetur nga OBSH dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) përbën një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së shëndetit publik dhe reduktimit të ndikimit të ndotësve të rrezikshëm në mjedis. Takimet e vazhdueshme dëshmojnë për angazhimin serioz të institucioneve shqiptare për të arritur objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe për të ndërtuar një sistem shëndetësor më të sigurt dhe më të përgjegjshëm ndaj mjedisit.