Më 18 dhjetor 2024, në Tiranë, u zhvillua Punëtoria orientuese e Misionit të Përbashkët të Vlerësimit të Jashtëm të Kapaciteteve të Shqipërisë për zbatimin e Regullores Ndërkombëtare të Shëndetit (RNSh). Ky proces unik e vendosi Shqipërinë në fokusin global si vendi i dytë në rajon që i nënshtrohet këtij vlerësimi, duke krijuar mundësi për një analizë të pavarur të kapaciteteve të saj për përballimin e kërcënimeve shëndetësore.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Instituti i Shëndetit Publik, si dhe stafi i Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), ku përfshiheshin: Rolanda Merkuri, Marsida Merdani, Klea Pashollari, Jona Mustafaraj, Enkeleda Domi, Jonida Kapaj, Brikena Preni, Ilerta Bombi, Pranvera Hyka, Bukurie Hyseni, Xhuljana Trimi, Eriola Xhelaj, Endri Jashari, Alfiora Fortuzi, Hermes Xhemalaj, Hygerta Goxhaj, etj.. U koontribua në diskutimet për kapacitetet ekzistuese në fushat teknike si parandalimi, koordinimi i Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit dhe rezistenca antimikrobiale.
Diskutimet përfshinë një gamë të gjerë temash, si përmirësimi i instrumenteve juridike për zbatimin e standardeve ndërkombëtare, forcimi i burimeve financiare për të mbështetur kapacitetet e nevojshme, dhe koordinimin ndërmjet institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare për një qasje të integruar ndaj rreziqeve shëndetësore. Ndër temat kryesore ishin edhe masat për parandalimin e rezistencës antimikrobiale, menaxhimi i emergjencave shëndetësore, si dhe forcimi i masave për sigurinë ushqimore dhe biosigurinë.
Një nga fokuset e diskutimeve ishte gjithashtu përmirësimi i kapaciteteve laboratorike, si dhe zhvillimi i sistemeve të mbikëqyrjes për zbulimin e hershëm të kërcënimeve shëndetësore. Pjesëmarrësit u angazhuan në analiza dhe vlerësime të thella mbi burimet njerëzore dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve të personelit që do të luajnë një rol të rëndësishëm në implementimin e masave të RNSh.
Në fjalimin e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e OSHKSH, znj. Jeta Deda, theksoi rëndësinë e këtij procesi për Shqipërinë, duke e cilësuar si mundësi të jashtëzakonshme për të identifikuar boshllëqet dhe për të përcaktuar prioritetet kombëtare në përballimin e kërcënimeve shëndetësore. Ajo theksoi se OSHKSH mbetet e përkushtuar për të përmbushur standardet ndërkombëtare dhe për të kontribuar në forcimin e sigurisë shëndetësore në vend.
Punëtoria përfundoi me një seri rekomandimesh që do të përfshihen në Planin Kombëtar të Veprimit për Sigurinë Shëndetësore. Këto rekomandime do të shërbejnë si udhëzues për zbatimin e masave të nevojshme dhe do të tërheqin mbështetje nga donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim përmirësimin e kapaciteteve shëndetësore të Shqipërisë për të përballuar sfidat globale. OSHKSH ka dëshmuar angazhimin e saj si një partner i besueshëm në këtë proces të rëndësishëm për shëndetin publik në Shqipëri.