Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale organizoi në Tiranë Konferencën “Transformimi Spitalor-Autonomia Spitalore dhe sfidat e së ardhmes” ku drejtues të Spitaleve që kanë marrë Kartën e Autonomisë Menaxheriale, mjekë dhe ekspertë të shëndetësisë, diskutuan për proceset drejt autonomisë së plotë spitalore, hapat që duhen ndjekur për të përmbushur kërkesat e këtij procesi si dhe ndanë eksperiencën dhe praktikat më të mira që implementohen nga vende të ndryshme.
Në fjalën e saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh se autonomia spitalore është distancim i politikës nga menaxhimi spitalor.
Ky model menaxhimi, vuri në dukje ministrja, kërkon ngritjen e një kulture të re menaxhimi si parakusht për funksionimin e të gjithë sistemit, “kalimin nga koha e planifikimit të centralizuara nga të gjithë burokracitë, tek modeli i menaxhimit dinamik nga vetë ata që njohin më mirë punën e çdo spitali, pra mjekët dhe drejtuesit e tij, është një ndryshim i madh, pikë së pari konceptual”.
Ministrja u ndal te tre shtyllat kyçe të autonomisë spitalore, “autonomia administrative, përfshirë vendimmarrjen në përcaktimin e strukturave administrative, politikbërjet e brendshme apo menaxhimin e burimeve njerëzore; autonominë financiare, me mundësinë për të gjeneruar të ardhura jashtë sistemit për vetë spitalin si dhe vijimi drejt arritjes së autonomisë klinike, që përfshin pavarësi në protokollet mjekësore, në përzgjedhjet e trajtimit apo menaxhimin e pacientëve”.
Ajo shtoi se autonomia spitalore krijon mundësinë për të ofruar shumë më shpejt edhe në shëndetësi, standardet europiane që qytetarët shqiptarë meritojnë.
Ministrja e Shëndetësisë u ndal edhe te modeli i praktikave të dyfishta e cila krijon mundësinë e ofrimit jashtë orarit zyrtar të punës të konsultave ambulatore për pacientët jashtë sistemit të referimit. “Ne sigurojmë që qytetarët të përfitojnë në kohë më të zgjatur shërbime cilësore brenda strukturave shëndetësore publike, ndërsa mjekët kanë mundësinë të zhvillohen profesionalisht dhe të përfitojnë brenda sistemit publik”, deklaroi Koçiu, duke shtuar se ky mekanizëm nxit zhvillimin profesional dhe shpërblimin për secilin që punon brenda sistemit publik.
Sipas saj, kjo është një praktikë e konsoliduar jo vetëm në Europë, por edhe në disa prej vendeve të rajonit.
Pas Spitalit Rajonal Memorial Fier, QSUNT-së dhe strukturave rajonale spitalore në Shkodër, Lezhë, Durrës dhe Vlorë, ministrja shtoi se “ambicia jonë është që aplikimi i autonomisë spitalore përgjatë tre viteve të ardhshëm, të zgjerohet në 17 qendra spitalore në gjithë Shqipërinë”.
Gjatë fjalës së mbajtur në Konferencë, ministrja Koçiu u ndal edhe ndryshimet në Ligjin “Për Urdhërin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, i cili rregullon veprimtarinë e profesionistëve të shëndetësisë dhe përcakton parime, standarde e kritere për aktivitetin e bluzave të bardha.
“Pjesë e ndryshimeve të propozuara është dhe përjashtimi i mundësisë për të trajtuar pacientët e marrë përsipër në sistemin publik privatisht. Gjithashtu, është propozuar të qartësohen edhe procedura e detyrueshme të kërkesës së aprovimit me shkrim për të punuar jashtë sistemit, si dhe pamundësimi i mbajtjes së posteve drejtuese në rast të punës paralele. E kemi studiuar me vëmendje praktikat e tjera ndërkombëtare dhe pothuajse në të gjithë vendet e tjera europiane ku aplikohet si model, mjekët kanë nevojë për të marrë një autorizim nga spitali për të punuar jashtë sistemit në privat”, deklaroi Koçiu.
Ministrja Koçiu tha se suksesi i autonomisë spitalore është i sigurt vetëm nëse respektohen katër virtytet e panegociueshme në menaxhim, kujdesi, integriteti, vetëkontrolli dhe transparenca. “Autonomia nuk është një shkop magjik që do ta ndryshonte sistemin nga sot nesër, por vetmenaxhimi është një ndërhyrje e thellë dhe moderne, një reformë që i ka të gjitha premisat për të hapur një epokë të re në shëndetësinë tonë”, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
Deri tani Kartën e Autonomisë Menaxheriale e kanë marrë Spitali Memorial Fier, QSUNT dhe 4 strukturat spitalore rajonale, në Durrës, Lezhë, Vlorë dhe Shkodër. Autonomia spitalore, përmirëson cilësinë e ofrimit të shërbimeve për qytetarët, shpërblim bazuar në performancë dhe meritokraci për mjekët duke u mundësuar paga më të mira për mjekët, por edhe paga më të larta për ata që punojnë më shumë, ndërsa spitaleve u mundëson autonomi administrative, organizative dhe rregullatore duke decentralizuar vendimmarrjet e spitalit nëpërmjet vetëadministrimit të burimeve njerëzore dhe financiare.