Në kuadër të përmirësimit të shërbimit neonatal në Shqipëri, gjatë muajit qershor, u organizua një konferencë e rëndësishme me temë “Takimi Rajonal për Sëmundjet e Rralla dhe Screening Metabolik tek Foshnjat”. Ky event mblodhi së bashku përfaqësues nga vende të ndryshme, duke përfshirë Gjermaninë, Austrinë, Italinë, Kosovën dhe Maqedoninë, të cilët ndanë eksperiencat e tyre mbi aplikimin e këtij programi në sistemin shëndetësor publik dhe privat.
Takimi u udhëhoq nga profesori i njohur, Prof. Pascal Cullufe, i cili theksoi domosdoshmërinë e këtij programi për Shqipërinë. Në fjalën e tij, Prof. Cullufe shpjegoi se screening-u ndihmon për të identifikuar çrregullime të lindura të metabolizmit në foshnjat e porsalindura, një proces i cili realizohet në 24-48 orët e para të jetës së tyre. Ndër sëmundjet që identifikohen nga ky test përfshihen: Fenilketonuria, Hipotiroidizmi kongjenital, Fibroza cistike, dhe Galaktozemia.
Aktualisht, screening-u metabolik për foshnjat është një test që përdoret në mbarë botën, por në Shqipëri, ky test realizohet vetëm në sektorin privat. Shoqata e Sëmundjeve të Rralla, Universiteti i Mjekësisë dhe Ministria e Shëndetësisë janë bashkuar me qëllim që të propozojnë implementimin e këtij programi edhe në institucionet shëndetësore publike.
Konferenca shërbeu si një platformë e shkëlqyer për të ndarë përvojat dhe praktikat më të mira ndërkombëtare mbi aplikimin e screening-ut metabolik tek foshnjat. Përfaqësuesit nga Gjermania, Austria, Italia, Kosova dhe Maqedonia ndanë eksperiencat e tyre mbi implementimin e suksesshëm të këtij programi në vendet e tyre, duke ofruar një udhërrëfyes të vlefshëm për Shqipërinë dhe përfaqësuesit e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Organizimi i konferencës për sëmundjet e rralla dhe screening metabolik tek foshnjat shënon një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimit neonatal në Shqipëri. Implementimi i këtij programi në institucionet shëndetësore publike do të kontribuojë në identifikimin e hershëm të sëmundjeve të rënda metabolike, duke përmirësuar kështu cilësinë e jetës së foshnjave dhe familjeve të tyre.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor mbetet i përkushtuar për të vazhduar punën në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.