Më 23 shtator 2025, në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD), u zhvillua një diskutim i hapur me temën “Një mijë ditët e para”, si pjesë e ciklit të diskutimeve “Të rritesh me teknologjinë”. Ky aktivitet u organizua me iniciativën e COD dhe Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, duke sjellë së bashku mjekë pediatër dhe mjekë të konsultorit të fëmijës, të cilët ndanë përvoja dhe reflektuan mbi zhvillimin e hershëm të fëmijës, sfidat aktuale dhe ndikimin e teknologjisë në këtë proces jetik.
Takimi u zhvillua në një atmosferë bashkëbiseduese dhe ndërvepruese, duke krijuar një hapësirë të vlefshme për shkëmbim eksperiencash. E ftuar speciale ishte znj. Lira Gjika, pediatre, e njohur për kontributin e saj të vazhdueshëm në fushën e zhvillimit të fëmijës. Ajo vuri në dukje se 1000 ditët e para të jetës përbëjnë një periudhë vendimtare për formësimin e trurit, lidhjet emocionale me prindërit dhe vendosjen e bazave të psikës njerëzore. Sipas saj, fëmija që në lindje është i pajisur me kapacitete biologjike për të zhvilluar gjuhën, ndjeshmërinë dhe mendimin, por këto zhvillime ndodhin vetëm përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me të rriturit. Ajo theksoi se fjala, shikimi dhe përqafimi i prindërve janë çelësat për të aktivizuar “laboratorin e brendshëm” të fëmijës.
Në pjesën e dytë të diskutimit, vëmendja u përqendrua te ndikimi shqetësues i teknologjisë në jetën e përditshme të fëmijëve. U vu re se përdorimi i tepërt i ekranit, shpesh si mjet për të qetësuar fëmijën, po zëvendëson ndërveprimin real me prindërit dhe kujdestarët, duke ndikuar negativisht në zhvillimin emocional, gjuhësor dhe social të fëmijës. Paradoksi i kohëve moderne është se, pavarësisht ndërlidhjes teknologjike, ndjenja mbizotëruese e shumë individëve, përfshirë fëmijët, mbetet vetmia. Kjo bie ndesh me natyrën biologjike të zhvillimit njerëzor, e cila është ndërtuar ndër shekuj mbi marrëdhëniet e ngushta emocionale dhe ndërveprimin fizik.
Në përfundim të diskutimit, u theksua nevoja për të riformuluar mënyrën si edukojmë dhe mbështesim zhvillimin e fëmijëve në këtë realitet të ri. Pavarësisht se ndikimi i teknologjisë është tashmë një faktor i pandashëm i jetës moderne, theksi u vendos te domosdoshmëria për të rritur ndërgjegjësimin për pasojat e saj dhe për të forcuar praninë emocionale dhe fizike të të rriturve në jetën e fëmijës. U nënvizua roli i rëndësishëm që kanë mjekët pediatër dhe personeli mjekësor i konsultoreve të fëmijës, jo vetëm në kujdesin mjekësor, por edhe në edukimin e prindërve për përdorimin e kujdesshëm të teknologjisë dhe promovimin e ndërveprimit njerëzor.
Ky takim dëshmoi qartë se bashkëpunimi ndërmjet profesionistëve të shëndetit dhe ekspertëve të zhvillimit të fëmijës është thelbësor për të përballuar sfidat e epokës digjitale. Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor mbetet i angazhuar për të mbështetur nisma të tilla, të cilat forcojnë rolin e mjekëve të shërbimit parësor në ruajtjen e mirëqenies dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve në fazën më të rëndësishme të jetës së tyre.