Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Evis Sala, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, znj. Jeta Deda, zhvilluan një vizitë në Spitalin Rajonal Elbasan, ku u pritën nga Drejtori i Drejtorisë Rajonale të OSHKSH, z. Arben Asllani, dhe Drejtori i Spitalit Rajonal Elbasan, znj. Zheni Gjergji, në kuadër të ndjekjes nga afër të funksionimit të spitaleve rajonale dhe procesit të forcimit të shërbimeve shëndetësore, me fokus të veçantë në shërbimin onkologjik.
Gjatë vizitës, u zhvilluan takime me drejtuesit e institucionit dhe stafet shëndetësore, ku u diskutua mbi ecurinë e shërbimeve, sfidat e përditshme të strukturave spitalore dhe prioritetet për rritjen e kapaciteteve, përmirësimin e infrastrukturës dhe modernizimin e shërbimeve diagnostikuese dhe terapeutike. Në këtë kuadër, Ministrja bëri të ditur se ka nisur puna për rritjen e kapaciteteve të shërbimit të kimioterapisë në shtatë spitale rajonale të vendit, me synim ofrimin e shërbimeve onkologjike më pranë pacientëve. Po ashtu, u theksua se tashmë janë përfunduar protokollet e reja të onkologjisë, të hartuara mbi modele bashkëkohore, në bashkëpunim me Institutin e Tumoreve në Milano.
Vizita shërbeu edhe për të njohur nga afër kapacitetet dhe aktivitetin e Spitalit Rajonal Elbasan, i cili është institucioni referues për qarkun dhe mbulon një popullsi mbi 230 mijë banorë. Spitali ofron një gamë të gjerë shërbimesh spitalore dhe ambulatore, me staf mjekësor dhe infermieror të specializuar, si dhe kapacitete të plota shtrimi.
Gjatë vitit 2025, spitali ka zhvilluar një aktivitet të gjerë në shërbimet me shtretër, ndërhyrjet kirurgjikale, shërbimin e urgjencës dhe trajtimin onkologjik. Një rol të rëndësishëm ka pasur Shërbimi i Urgjencës, i cili ka përballuar një fluks të lartë pacientësh, si dhe Punkti i Kimioterapisë, ku janë trajtuar 529 pacientë me 793 seanca kimioterapie.
Spitali Rajonal Elbasan ka konfirmuar gjithashtu rolin e tij si qendër referimi për rajonin, përmes një numri të lartë vizitash ambulatore dhe ekzaminimesh diagnostike, që mbështesin procesin e diagnostikimit, trajtimit dhe monitorimit të pacientëve.
Vizita e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Drejtoreshës së Përgjithshme të OSHKSH u zhvillua në kuadër të ndjekjes institucionale të reformave në shëndetësi dhe forcimit të rolit të spitaleve rajonale në ofrimin e shërbimeve të integruara, cilësore dhe të aksesueshme për qytetarët.
