Në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore, Ministrja e Shëndetësisë  dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), znj. Jeta Deda, zhvilluan një vizitë inspektimi në Qendrën Shëndetësore të rikonstruktuar në Maliq, e cila është pjesë e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) Korçë.

Gjatë vizitës u inspektua zbatimi i vaksinimit sezonal sipas kalendarit kombëtar, me fokus të veçantë te kujdesi për grupmoshat vulnerabël, si personat mbi 65 vjeç dhe pacientët kronikë, si dhe u vlerësuan shërbimet e kujdesit shëndetësor në banesë. U diskutua gjithashtu mbi programin e kontrollit të shikimit për fëmijët, duke përfshirë depistimin bazë për fëmijët e grupmoshës 6-12 vjeç ndërsa u bë dhe hapja simbolike e “Këndit të Vaksinimit” për imunizimin kundër gripit sezonal. Po ashtu, u shqyrtuan librezat e vaksinimit për fëmijët e grupmoshës 0-5 vjeç në sistemin elektronik online.

Qendra Shëndetësore në Maliq përfiton nga programi i trajnimeve për kujdesin shëndetësor në banesë dhe ofron shërbime 24 orë në 7 ditë të javës. Kjo qendër përfaqëson një model të kujdesit mjekësor modern dhe të integruar, ku së fundmi ofron edhe shërbimin e depistimit të shikimit për fëmijët. Në dy muajt e fundit, në të gjithë NJVKSH Korçë janë kryer 1000 depistime të shikimit për fëmijët e grupmoshave të ndryshme, me qëllim zbulimin dhe parandalimin e hershëm të problemeve të syve.

Qendra shëndetësore në Maliq u vlerësua si një model i ofrimit të shërbimeve cilësore, me infrastrukturë të përmirësuar dhe me fokus te programet parandaluese që mbrojnë shëndetin e brezave të rinj.