Më datë 26 nëntor 2024, në ambientet e Qendrës së Telemjekësisë së Shqipërisë, u zhvillua një trajnim me temën “Menaxhimi i Emergjencave Mjekësore në Praktikën Dentare”, i organizuar nga Klinika Stomatologjike Universitare.
Ky trajnim u udhëhoq nga Prof. Dr. Edmond Zajmi dhe Dr. Grei Malo dhe kishte si qëllim përditësimin e njohurive dhe aftësive praktike të mjekëve stomatologë për të reaguar në mënyrë të shpejtë dhe efikase ndaj emergjencave mjekësore të zakonshme që mund të ndodhin në praktikën dentare, si tek të rriturit ashtu edhe tek fëmijët.
Një pjesë thelbësore e trajnimit ishte përditësimi mbi protokollet e BLS (Basic Life Support) dhe CPR (Cardiopulmonary Resuscitation – Reanimimi Kardiopulmonar), të cilat janë jetike për ofrimin e ndihmës së parë në situata emergjente. Pjesëmarrësit u njohën gjithashtu me rëndësinë e përdorimit të defibrilatorit për menaxhimin e rasteve kritike. Përveç pjesës teorike, trajnimi përfshiu edhe simulime praktike në manekine, për të mundësuar mjekëve stomatologë një përvojë të drejtpërdrejtë dhe praktike të këtyre procedurave jetike.
Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin mjekë stomatologë nga Drejtoria Qendrore e OSHKSH, si dhe nga katër Drejtoritë Rajonale të OSHKSH në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Vlorë. Ky trajnim shërbeu si një mundësi e shkëlqyer për rritjen e nivelit të gatishmërisë dhe njohurive të mjekëve stomatologë në menaxhimin e emergjencave, duke u mundësuar atyre të sigurojnë shërbime më të sigurta dhe më efikase për pacientët e tyre.