Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Vlorë, duke ndjekur detyrat e përcaktuara, realizoi me sukses pjesëmarrjen e stafeve mjekësore në trajnimet “Mbi BLSD dhe Stop dhe Bleed” më datat 12-13 nëntor 2024. Këto trajnime u zhvilluan në kuadër të projektit EmergiCare, një nismë ndërkombëtare që synon përmirësimin e aftësive të personelit shëndetësor për të përballuar situata emergjente.
Në trajnim morën pjesë rreth 30 mjekë dhe infermierë nga qendrat dhe ambulancat shëndetësore në varësi të NJVKSH-Vlorë, përfshirë ato të lagjes “24 maji”, lagjes “Osmen Haxhiu”, Shushicës, Vllahinës, Kropishtit, Alikokës, Babicës, Ramicës, etj..
Ky kurs dy-ditor u organizua nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore (QKUM), ACMS, Regione Toscana, dhe Centro Salute Globale. Trajnimi u drejtua nga specialistë të njohur italianë, përfshirë mjekë anestezistë-reanimatorë, kirurgë dhe kardiologë.
Temat kryesore të trajnimit ishin: 1. Trajnimi mbi Bazat e Jetëdhënies dhe Defibrilimit për të rritur dhe fëmijë, ku u përfshi njohja e gjendjes së ndërgjegjes dhe aktivitetit të frymëmarrjes, kryerja e kompresioneve të kraharorit dhe frymëmarrjes artificiale, teknikat për zhbllokimin e rrugëve të frymëmarrjes dhe simulime të situatave emergjente dhe 2. Ndalimi i hemorragjive duke përdorur vlerësimin dhe ndërhyrjen për hemorragjitë kërcënuese për jetën, teknikat e presionit të drejtpërdrejtë, agjentët hemostatikë, dhe mbushjen e plagëve (wound packing).
Trajnimi jo vetëm që përmirësoi njohuritë teorike të pjesëmarrësve, por u fokusua edhe në zbatimin praktik të teknikave të mësuara. Kjo është një garanci për përmirësimin e reagimit ndaj emergjencave mjekësore në qendrat shëndetësore të Vlorës dhe më gjerë. Projekti EmergiCare është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ndërkombëtar për fuqizimin e kapaciteteve shëndetësore në vendin tonë.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor mbetet i angazhuar për avancimin e kompetencave të stafeve mjekësore në të gjithë Shqipërinë, duke ofruar trajnime dhe projekte të standardeve të larta ndërkombëtare.