Në datat 3 dhe 4 Shkurt 2025, në Tiranë, u zhvillua një trajnim dy-ditor mbi monitorimin e zbatimit të protokolleve të mjekimit për pesë sëmundje kronike. Ky trajnim u organizua me mbështetjen e projektit HAP që financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim dhe Drejtorisë Qendrore të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe mblodhi përfaqësues nga NJVKSH Tiranë, DROSHKSH Tiranë, si dhe drejtorët dhe kryeinfermierët e disa qendrave shëndetësore, përfshirë QSHS Nr. 2, QSHS Nr. 5, QMF Nr. 10, QSSH Dajt, QSSH Kashar dhe QSSH Paskuqan.
Qëllimi kryesor i këtij trajnimi ishte aftësimi i mjekëve dhe infermierëve të familjes për të monitoruar dhe zbatuar protokollet e mjekimit për hipertensionin, diabetin, dislipideminë, astmën dhe sëmundjet pulmonare obstruktive kronike (SPOK). Gjatë ditës së parë, pjesëmarrësit u njohën me rëndësinë e monitorimit të këtyre sëmundjeve dhe treguesve kryesorë që ndihmojnë në vlerësimin e zbatimit të protokolleve. Përmes diskutimeve në grup dhe demonstrimeve praktike, ata patën mundësinë të përdorin instrumente klinike dhe mjete monitoruese, duke përfshirë shqyrtimin e kartelave të pacientëve dhe intervistat me personelin mjekësor.
Dita e dytë e trajnimit u fokusua në vlerësimin praktik të protokolleve të mjekimit në terren. Pjesëmarrësit u ndanë në tre grupe dhe vizituan QMF Nr. 10, ku analizuan kartelat e pacientëve dhe zhvilluan intervista me personelin shëndetësor. Pas kthimit në vendin e trajnimit, secili grup prezantoi gjetjet e tij, duke nxitur një diskutim të hapur mbi sfidat dhe mundësitë për përmirësim.
Ky trajnim kontribuoi ndjeshëm në forcimin e aftësive të pjesëmarrësve për monitorimin dhe raportimin e zbatimit të protokolleve, duke përmirësuar qasjen ndaj ndjekjes së pacientëve me sëmundje kronike. Identifikimi i sfidave dhe sugjerimet për përmirësim do të ndihmojnë në zbatimin më efektiv të këtyre protokolleve në të ardhmen.