Në kuadër të nismës ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave”, në Tiranë u zhvillua trajnimi me temë “Reagimi ndaj Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave & Parandalimi i Ngacmimit dhe Abuzimit Seksual (PSEA)”, i organizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Aktiviteti mblodhi mbi 30 pjesëmarrës, përfshirë profesionistë të shëndetësisë, mjekë familjeje, infermierë, studentë të mjekësisë, si dhe përfaqësues të organizatave partnere dhe të Zyrës së OBSH-së në Shqipëri. Qëllimi i trajnimit ishte forcimi i kapaciteteve profesionale për reagim efektiv ndaj dhunës me bazë gjinore, si dhe rritja e ndërgjegjësimit dhe njohurive mbi parandalimin e ngacmimit dhe abuzimit seksual në sistemin shëndetësor dhe në komunitet.

Gjatë aktivitetit, znj. Jeta Deda, Drejtore e Përgjithshme e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, në fjalën e saj theksoi rolin e sistemit shëndetësor si një nga pikat kryesore të kontaktit për gratë dhe vajzat që përballen me dhunë. Ajo nënvizoi rëndësinë e përgjegjësisë institucionale për garantimin e një qasjeje të sigurt, etike dhe të përqendruar te të mbijetuarat, si dhe nevojën për rritjen e standardeve profesionale në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Programi i trajnimit përfshiu sesione teorike dhe praktike që trajtuan konceptet bazë të dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe ndikimin e saj në shëndet, parimet e kujdesit të përqendruar te të mbijetuarat dhe reagimin me qasje të ndjeshme ndaj traumës, si dhe rolin dhe përgjegjësitë e punonjësve të shëndetësisë dhe partnerëve komunitarë. Gjithashtu, pjesëmarrësit u angazhuan në analiza studimesh rastesh dhe ushtrime praktike (role-play), si dhe u informuan mbi mekanizmat e koordinimit dhe rrugët e referimit për mbështetje mjekësore, psikosociale dhe ligjore.

Trajnimi u zhvillua në një mjedis profesional dhe bashkëpunues, duke nxitur shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e praktikave më të mira për forcimin e reagimit ndërsektorial ndaj dhunës me bazë gjinore.

Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit riafirmuan angazhimin për zbatimin në praktikë të njohurive të fituara, me synimin për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe forcimin e rolit të sistemit shëndetësor në mbrojtjen e grave dhe vajzave në Shqipëri.

Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri, në bashkëpunim me institucionet kombëtare, vijon angazhimin për forcimin e mekanizmave të parandalimit, reagimit dhe llogaridhënies ndaj dhunës me bazë gjinore, duke vendosur të mbijetuarat në qendër të politikave dhe veprimeve institucionale.