Në kuadër të projektit “Të rinjtë Romë-Ambasadorë për një Shoqëri Pa Korrupsion”, ekspertë, përfaqësues institucionalë dhe të rinj, zhvilluan dy sesione diskutimi, me fokus te fuqizimi i të rinjve dhe bashkëpunimi ndër-institucional për promovimin e integritetit dhe parandalimin e korrupsionit.

Ky projekt zbatohet nga IRCA përmes një nën-granti të dhënë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) dhe financohet nga Bashkimi Evropian, në kuadër të programit “Shoqëria Civile Kundër Korrupsionit: Nga Një Sfidë Vendore në një Reagim Evropian”.

Në këto sesione, folësit ndanë praktikat e mira, iniciativat e udhëhequra nga të rinjtë, si dhe theksuan rëndësinë e institucioneve qendrore dhe lokale në promovimin e integritetit dhe forcimin e transparencës.

Gjatë sesionit të parë, pjesëmarrësit theksuan përpjekjet kryesore për promovimin e integritetit tek të rinjtë dhe rëndësinë e angazhimit aktiv të tyre në luftën kundër korrupsionit. Znj. Tana Aliaj, Menaxhere Programi në IRCA, prezantoi praktikat më të mira të projektit, ndërsa z.Erion Xhaibra, Përfaqësues i Komunitetit Rom në Komitetin për Minoritetet Kombëtare, nënvizoi nevojën për të sfiduar korrupsionin brenda komuniteteve të margjinalizuara.

Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi, diskutoi ankesat lidhur me korrupsionin të cilat janë trajtuar nga institucioni që ai përfaqëson, ndërsa znj. Xhezide Gurguri nga Agjencia Kombëtare e Rinisë theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të të rinjve në nisma dhe vendimmarrje. Z. Ilir Hebovija nga Universiteti Mesdhetar nënvizoi rolin e edukimit etik në akademi si një shtyllë për formimin e qytetarëve të përgjegjshëm dhe të ndershëm. Ambasadorët e Rinisë, znj. Sabrina Dema dhe znj. Sindi Kerluku, ndanë eksperiencat e tyre dhe përfshirjen aktive në këtë iniciativë, duke ilustruar se si të rinjtë mund të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie pa korrupsion.

Gjatë sesionit të dytë u theksua rëndësia e përgjegjësisë institucionale dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale për forcimin e integritetit tek të rinjtë. Znj. Xhulia Mulla nga Drejtoria e Përgjithshme e Anti-Korrupsionit vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, ndërsa znj. Ejona Hasani nga “Gobal Care Albania” diskutoi sfidat me të cilat përballen organizatat e shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit.

Lorenc Hashorva, Drejtor i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor pranë Operatorit të Shëndetësisë, diskutoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në adresimin e korrupsionit brenda sistemit shëndetësor. Perspektiva lokale u ndanë nga përfaqësues të bashkive, duke përfshirë z. Klaudjo Taho nga Bashkia Tiranës, z. Eraldo Breshani nga Bashkia e Gjirokastrës, znj. Ariola Baballeku nga Bashkia e Durrësit dhe znj. Dorina Roseni nga Bashkia e Elbasanit, të cilët prezantuan qasje konkrete për parandalimin e korrupsionit tek të rinjtë dhe për forcimin e integritetit në nivel komuniteti.

Diskutimet përfunduan me falenderime nga IRCA për të gjithë pjesëmarrësit, për angazhimin dhe ndarjen e perspektivave të vlefshme drejt ndërtimit të një shoqërie më transparente dhe me integritet të lartë. Ky aktivitet thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shoqërisë civile, institucioneve qendrore dhe lokale, si dhe përfshirjen aktive të të rinjve si një faktor kyç në promovimin e një shoqërie pa korrupsion.