Në ambientet e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) u zhvillua një takim pune me ekspertin ndërkombëtar të komunikimit të riskut, z. Philippe Borremans.
Qëllimi i takimit ishte prezantimi dhe diskutimi mbi Rregulloren dhe Procedurën Standarde të Operimit (SOP) të hartuar dhe miratuar nga OSHKSH, që trajton komunikimin e riskut në strukturat shëndetësore.
Kjo rregullore, e mbështetur në Ligjin Nr. 15/2016 dhe VKM Nr. 419, datë 4.7.2018, synon të standardizojë proceset e komunikimit gjatë emergjencave shëndetësore, duke siguruar një informim të saktë, të shpejtë dhe të koordinuar me publikun.
Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e përmirësimit të mekanizmave të brendshëm të komunikimit për të garantuar reagime të efektshme dhe transparente në situata të krizave apo emergjencave.
Takimi shënoi gjithashtu hapin e parë drejt bashkëpunimeve të reja me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, me qëllim forcimin e kapaciteteve të komunikimit të riskut dhe krizave në të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor.
Ky bashkëpunim pritet të kontribuojë ndjeshëm në rritjen e transparencës, përmirësimin e reagimit institucional dhe në mbrojtjen e shëndetit publik, përmes një komunikimi më të koordinuar, profesional dhe efektiv me qytetarët.