Në kuadër të zbatimit të Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit (International Health Regulations – IHR) dhe forcimit të kapaciteteve kombëtare për parandalimin, zbulimin dhe përballimin e kërcënimeve ndaj shëndetit publik, Shqipëria zhvilloi në periudhën 1–5 dhjetor 2025 procesin e Joint External Evaluation (JEE), me pjesëmarrjen e ekspertëve ndërkombëtarë dhe institucioneve kryesore kombëtare, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Institutin e Shëndetit Publik.

Më datë 1 dhjetor 2025, ekspertët ndërkombëtarë të JEE zhvilluan vizita në terren në disa struktura kyçe të sistemit shëndetësor, përfshirë Drejtorinë Rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Vlorë, Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Vlorë, Spitalin Rajonal Vlorë, Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Institutin e Shëndetit Publik, si dhe pikën e hyrjes kufitare Kakavijë, në bashkëpunim me Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Gjirokastër. Vizitat u organizuan në disa grupe pune, duke mbuluar të gjitha fushat teknike të vlerësimit sipas standardeve të IHR.

Gjatë këtyre vizitave u vlerësuan kapacitetet kombëtare në shërbimet e urgjencës shëndetësore, menaxhimin e sëmundjeve infektive, survejancën epidemiologjike, imunizimin, parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve, sistemet laboratorike, sigurinë shëndetësore në pikat e hyrjes, si dhe bashkërendimin ndërmjet shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor, spitalor dhe strukturave të shëndetit publik.

Në datat 2–5 dhjetor 2025, në Tiranë u zhvillua workshopi kombëtar i JEE, ku institucionet pjesëmarrëse analizuan në mënyrë të detajuar kuadrin ligjor, organizativ dhe operacional për zbatimin e IHR. Workshopi përfshiu fusha të tilla si instrumentet ligjore dhe financimi, ofrimi i shërbimeve shëndetësore, burimet njerëzore, sistemet laboratorike, menaxhimi i emergjencave shëndetësore, siguria ushqimore, sëmundjet zoonotike, rezistenca antimikrobiale, imunizimi, komunikimi i rrezikut, biosiguria, emergjencat radiologjike dhe funksionimi i pikave të hyrjes.

Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor luajti një rol kyç në të gjithë procesin e JEE, si strukturë përgjegjëse për organizimin, koordinimin dhe funksionimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor, spitalor dhe shërbimeve mbështetëse në nivel kombëtar dhe rajonal. Përmes rrjetit të tij institucional, Operatori kontribuoi në demonstrimin e kapaciteteve operacionale të vendit për zbatimin e IHR, në garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve shëndetësore dhe në forcimin e koordinimit ndërinstitucional gjatë emergjencave të shëndetit publik.

Procesi i JEE u përmbyll me prezantimin e gjetjeve dhe rekomandimeve prioritare, të cilat do të shërbejnë si bazë për hartimin dhe zbatimin e masave të mëtejshme për forcimin e sigurisë shëndetësore kombëtare, në përputhje me Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit dhe angazhimet e Shqipërisë ndaj organizatave dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Ky proces përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mëtejshëm të sistemit shëndetësor shqiptar dhe ndërtimit të një strukture më të përgatitur, më rezistente dhe më të qëndrueshme në mbrojtje të shëndetit.