Më datë 26 maj 2025, Qendra e Mjekësisë Familjare Nr. 10 në Tiranë u bë zyrtarisht pjesë e rrjetit të institucioneve të praktikës profesionale të Universitetit të Mjekësisë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të rolit të mjekut të familjes dhe zhvillimit të mëtejshëm të modelit të kujdesit shëndetësor parësor të integruar në vend.

 

Marrëveshja u nënshkrua mes Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu dhe Rektorit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Xheladin Dracini. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin Drejtoresha e Përgjithshme e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Jeta Deda dhe Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Mira Rakacolli, të cilët bashkë me Drejtoreshën e Qendrës së Mjekësisë Familjare Nr. 10, Silvana Tako, janë angazhuar në mënyrë të vazhdueshme për ta çuar përpara këtë proces.

 

Qendra Shëndetësore Nr. 10 ka funksionuar gjatë vitit të fundit si Qendër e Mjekësisë Familjare, duke zbatuar një model të ri të kujdesit shëndetësor që vendos mjekun e familjes në qendër të ndjekjes së shëndetit të qytetarëve, nga fëmijëria deri në moshën e tretë. Përfshirja e saj në rrjetin e praktikës profesionale i hap rrugë zhvillimit të trajnimeve praktike për studentët e degës së mjekësisë familjare në një mjedis real dhe me standarde të përparuara.

 

Pas Qendrave të Mjekësisë Familjare në Tiranë dhe Vorë, ky model do të zgjerohet edhe në qytete të tjera të vendit, me synimin për të garantuar një kujdes më cilësor, më të afërt dhe më të personalizuar për çdo qytetar.

 

Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor vijon të mbështesë modernizimin e sistemit të kujdesit parësor në bashkëpunim të ngushtë me institucionet akademike dhe partnerët e shëndetësisë.